×
Saturday, July 25, 2026

Rama mbron Paketën e Maleve: Nuk është ligj për oligarkët, por për familjet që kanë trashëguar tokën pa dokumente

July 24, 2026


Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për Paketën e Maleve, duke hedhur poshtë pretendimet se ligji favorizon investitorët e mëdhenj apo shtetasit e huaj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë tha se qëllimi i ligjit është t’u japë zgjidhje familjeve që prej dekadash posedojnë toka të trashëguara, por nuk kanë mundur t’i formalizojnë ato juridikisht.

Rama theksoi se ligji nuk krijon privilegje për oligarkët dhe nuk i hap rrugë investitorëve të mëdhenj, pasi kushti kryesor është që aplikuesi të provojë posedimin faktik të tokës për të paktën 10 vjet.

“Një oligark nuk ka nevojë për një ligj që kërkon të provosh posedimin faktik të tokës për të paktën 10 vjet. Paketa e Maleve nuk u krijon një rrugë të re investitorëve të mëdhenj; ajo krijon një rrugë për njerëzit që prej dekadash jetojnë mbi një truall të trashëguar pa mundur ta formalizojnë atë”, shkroi Rama.

Sipas tij, ligji synon t’u japë mundësi familjeve në zonat malore, si Thethi, Vermoshi, Zagoria, Lunxhëria apo Mokra, të zhvillojnë pronat e trashëguara që nuk kanë titull pronësie për shkak të trashëgimisë së regjimit komunist, tranzicionit dhe legjislacionit ekzistues.

Kryeministri sqaroi gjithashtu se Paketa e Maleve nuk krijon një kategori të privilegjuar për shtetasit e huaj. Ai argumentoi se investitorët e huaj nuk mund të përfitojnë nga mekanizmi kryesor i ligjit, pasi nuk plotësojnë kushtin e posedimit shumëvjeçar të tokës.

“Një investitor i huaj që vjen sot në Shqipëri nuk mund të deklarojë se ka poseduar tokën për dhjetë vjet. Pra ai nuk hyn fare në mekanizmin kryesor të Paketës së Maleve”, theksoi Rama.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë nënvizoi se ligji nuk është hartuar për personat me kapital të madh, pasi ata mund të investojnë edhe pa këtë paketë ligjore. Sipas tij, përfituesit realë janë familjet që kanë një kullë mali, stan, fermë apo truall të trashëguar, por që nuk kanë mundur ta regjistrojnë pronën dhe, për rrjedhojë, nuk kanë akses në kredi, nuk mund të zhvillojnë aktivitet ekonomik apo të garantojnë trashëgiminë ligjore për fëmijët e tyre.

Rama sqaroi gjithashtu se shteti nuk po shet tokë, por po ua jep poseduesve faktikë përmes një kontrate ligjore. Vetëm pasi të realizohen investimet dhe të përmbushen kushtet e kontratës, prona mund të hipotekohet. Në të kundërt, nëse kushtet nuk plotësohen, toka mbetet pronë shtetërore dhe zbatohen mekanizmat e parashikuar nga legjislacioni.

Sipas kryeministrit, projektet që synohen nga Paketa e Maleve nuk kufizohen vetëm te ndërtimi, por përfshijnë zhvillimin e agroturizmit, përpunimin e produkteve vendase, fermat, bujtinat, aktivitetet sportive dhe natyrore, si dhe nxitjen e ekonomisë lokale në zonat malore.

Në fund të reagimit të tij, Rama theksoi se ligji nuk prek pronën private të regjistruar dhe nuk parashikon shpronësime. Ai sqaroi se paketa vepron vetëm mbi prona shtetërore me posedues faktik ose në raste kur nuk ekziston një titull i formalizuar pronësie dhe legjislacioni i deritanishëm nuk ka ofruar zgjidhje për trashëgimtarët.

“Paketa e Maleve nuk është një ligj për ata që kanë shumë kapital. Është një ligj për ata që kanë pasur tokë, kujtime, punë dhe rrënjë, por nuk kanë titull juridik pronësie. Ajo përpiqet ta kthejë atë kapital të fjetur në ekonomi reale: në bujtina, ferma, punishte, shtigje turistike, vende pune dhe jetë të rikthyer në zonat malore”, përfundoi kryeministri.




Comments are closed.