×
Saturday, July 25, 2026

Trump sulmon BE-në për gjobat ndaj kompanive amerikane: Do të paguani një çmim shumë të lartë

July 24, 2026


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar Bashkimin Evropian se po shënjestron padrejtësisht kompanitë e mëdha amerikane përmes gjobave miliarda dollarëshe, duke paralajmëruar masa të ashpra kundër bllokut evropian.

Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump reagoi pas vendimit të Bashkimit Evropian për t’i vendosur Google një tjetër gjobë prej 1 miliard dollarësh. Sipas tij, me këtë vendim, vlera totale e gjobave të vendosura ndaj kompanisë ka kaluar 18 miliardë dollarë.

Presidenti amerikan renditi edhe sanksionet e vendosura më parë ndaj gjigantëve të tjerë të teknologjisë amerikane, duke përmendur rreth 15 miliardë dollarë gjoba ndaj Apple, 3 miliardë dollarë ndaj Meta dhe 2.5 miliardë dollarë ndaj Amazon.

“Shtetet e Bashkuara nuk janë ‘arkë kursimesh’ e Evropës dhe nuk do ta lejojmë të jenë”, shkroi Trump.

Ai pretendoi se kjo qasje ndaj kompanive amerikane nisi gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden, por theksoi se nuk do të vazhdojë gjatë mandatit të tij.

Trump bëri të ditur se administrata e tij do të nisë menjëherë një hetim sipas Seksionit 301, duke argumentuar se Bashkimi Evropian po zhvillon një praktikë të padrejtë dhe diskriminuese ndaj bizneseve amerikane.

“Bashkimi Evropian do të paguajë një çmim shumë të lartë për këtë sjellje të paligjshme dhe shumë joetike, për të cilën i kam paralajmëruar vazhdimisht”, u shpreh ai.

Presidenti amerikan shtoi se, sipas tij, këto gjoba do të anulohen plotësisht dhe paralajmëroi se administrata e tij do të vendosë tarifa të konsiderueshme ndaj Bashkimit Evropian “sa më shpejt të jetë e mundur”, si kundërpërgjigje ndaj asaj që e cilësoi si sulm ekonomik ndaj kompanive dhe taksapaguesve amerikanë.




Comments are closed.