×
Friday, July 24, 2026

Rama: Protesta për Zvërnecin u shndërrua në një ngjarje me jehonë globale

July 24, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi se protesta kundër projektit në Zvërnec dhe të ashtuquajturit “Bulevardi i Flamingove” mori përmasa ndërkombëtare për shkak të ndikimit të rrjeteve sociale, viralitetit të pamjeve dhe lidhjes së projektit me familjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e zgjeruar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, Rama tha se ngjarja nuk mund të kuptohet pa rolin e hapësirës digjitale, e cila, sipas tij, e shndërroi çështjen në një temë me jehonë globale.

Sipas kryeministrit, Zvërneci nuk mbante vetëm peshën e një investimi të madh dhe debatit mbi zonën e mbrojtur, por u kthye në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas shpërndarjes masive të një videoje nga protesta.

“Ajo protestë nuk mund të kuptohet pa rënë nën mbingarkesën e të dhënave digjitale mbi Bulevardin e Flamingove, i cili mblodhi dhe lëshoi një pafundësi sinjalesh në të gjithë anët e globit. Sepse Zvërneci nuk mbante vetëm peshën e një investimi të madh, të një lagune të ndjeshme, të pikëpyetjeve mbi procesin dhe të një vendimmarrjeje të debatueshme, por pas viralitetit të një videoje krijoi një forcë magnetike në mbarë botën”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se simbolika e protestuesve përballë gardhit me tela me gjemba, së bashku me faktin që projekti lidhej me dhëndrin dhe vajzën e Donald Trumpit, e rriti ndjeshëm interesin mediatik ndërkombëtar.

“Në Zvërnec qëndronte edhe hija e emrit më polarizues të politikës dhe medias botërore. Pikërisht në qendër të projektit ishte dhëndri dhe e bija e tij. Pa atë lidhje, protesta do të ishte, në rastin më të mirë, një çështje shqiptare, jashtë vëmendjes së botës, por falë kësaj lidhjeje ajo u shndërrua menjëherë në një ngjarje me jehonë globale”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se kombinimi i videos së protestës, simbolit të flamingos dhe algoritmeve të rrjeteve sociale ndikoi në përhapjen e shpejtë të ngjarjes në mbarë botën.

“Zvërneci dha videon revoltuese, flamingoja dha simbolin magjepsës, hija e vjehrrit më të famshëm në botë dha magnetin global, ndërsa algoritmi, i nxitur edhe nga ushtritë e ndërhyrjeve në punën e vendeve të tjera, bëri pjesën tjetër. Me një shkëndijë të ndezur pranë pyllit me pisha në Nartë, u shpërnda brenda pak orësh një zjarr marramendës anembanë botës”, tha Rama.




Comments are closed.