×
Monday, June 8, 2026

Rama për protestën në Zvërnec: U krijua alarm për një plan imagjinar që nuk ekziston

June 8, 2026


Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish protestën që prej nëntë ditësh po zhvillohet kundër projektit të investimit turistik në Zvërnec, duke kritikuar pretendimet e kundërshtarëve të projektit dhe atë që e cilësoi si një alarm të pabazuar.

Gjatë një deklarate publike, Rama ironizoi disa nga teoritë dhe akuzat që, sipas tij, janë përhapur në lidhje me qeverinë dhe projektin në Zvërnec.

“Se realisht po të përpiqesh t’i dëgjosh, çfarë nuk dëgjon. Ishte dje një patriot që thoshte Rama i ka ulur qëllimisht biletat e avionëve për t’i bërë të marrin sa më shumë avionët dhe të ikin. Çfarë do ky, që ne të rrisim çmimin e avionëve?”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë tha se debati është mbushur me pretendime të pabazuara dhe se shpesh “thuhet gjithçka dhe nuk dëgjohet asgjë”.

Rama komentoi gjithashtu reagimet e aktivistëve dhe qytetarëve që kundërshtojnë projektin, duke deklaruar se shumë prej tyre janë mobilizuar pas informacioneve që ai i konsideron të pasakta.

“Shpërthyen papritur ethet ambientaliste. U zgjuan një ditë dhe u bënë ambientalistë dhe po kërkojnë shpëtimin nga unë dhe ju”, tha kryeministri.

Ai ngriti pyetjen se ku kanë qenë këto reagime në periudha të tjera kur, sipas tij, mjedisi është përballur me probleme serioze si gjuetia e paligjshme apo menaxhimi i mbetjeve.

Sipas Ramës, shqetësimi i qytetarëve është i kuptueshëm nëse janë informuar se ekziston një plan për të dëmtuar zonën e mbrojtur, por ai këmbënguli se pretendime të tilla nuk qëndrojnë.

“Papritur morën vesh që ka një plan djallëzor për të shitur Shqipërinë dhe për të rrafshuar një zonë të mbrojtur, e pastaj për të sjellë aty palestinezë, izraelitë apo masive betoni”, deklaroi ai.

Kryeministri theksoi se nuk e ka me qytetarët që protestojnë, por me ata që, sipas tij, po përpiqen të manipulojnë shqetësimet e tyre dhe t’i përdorin për qëllime të tjera politike.

“Unë i kuptoj ata, por nuk kuptoj ata që po bëjnë çmos për ta marrë peng dhe për ta çuar në një drejtim të paditur atë nevojë të njerëzve për të reaguar ndaj një alarmi që u është paraqitur si real”, u shpreh Rama.

Debati për projektin në Zvërnec vijon të mbetet në qendër të diskutimeve publike, me qeverinë që e konsideron investimin një mundësi zhvillimi ekonomik dhe turistik, ndërsa aktivistët dhe organizatat mjedisore shprehin shqetësime për ndikimin e mundshëm në ekosistemin e zonës së mbrojtur.




Comments are closed.