×
Sunday, June 7, 2026

Rama: Flamingot e Zvërnecit, pasuri unike për zhvillimin e turizmit

June 7, 2026


Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje përvojën e Bahamas, duke argumentuar se pasuritë natyrore mund të shndërrohen në një aset të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe jo në një pengesë për investimet strategjike.

Në një reagim në rrjetet sociale, duke nisur nga protestat kundër investimit të pritshëm në Zvërnec, Rama vlerësoi flamingot e Vlorës si një nga pasuritë më të veçanta natyrore të vendit, duke theksuar se ato mund të shndërrohen në një element të rëndësishëm të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe cilësor.

Në reagimin e tij, kryeministri solli në vëmendje shembullin e resortit luksoz Baha Mar në Nassau, ku flamingot janë kthyer në simbol të destinacionit dhe pjesë e përvojës turistike që tërheq vizitorë nga e gjithë bota.

“Në Nassau të Bahamasit, një nga resortet më të famshme dhe më luksoze të Karaibeve, Baha Mar, flamingot nuk konsiderohen problem. Përkundrazi. Janë simboli i destinacionit.
Janë pjesë e identitetit të vendit, pjesë e eksperiencës turistike, pjesë e imazhit me të cilin Bahamasi prezantohet paqësor e mikpritës para botës. Qindramijëra turistë fotografohen me flamingot çdo vit. Resortet organizojnë aktivitete rreth tyre. Fëmijët mësojnë për ta. Vizitorët vijnë nga larg edhe sa për t’i parë. Askush nuk pyet më nëse flamingot mund të bashkëjetojnë me turizmin. Pyetja është si të zhvillohet më tej turizmi në mënyrë që flamingot të mbeten gjithnjë aty. Sepse në ekonominë moderne natyra nuk është armike e zhvillimit. Është pjesë e zhvillimit. Flamingot nuk janë një problem për zhvillimin. Janë një privilegj. Janë një pasuri që shumë vende turistike do jepnin shumëçka që ta kishin, për ta kthyer në burim mirëqenieje”, shkroi Rama.
Kryeministri thekson se sfida nuk është të zgjidhet mes flamingove dhe turizmit.
“Sfida jonë është të ndërtojmë një model ku flamingot, laguna, pylli, plazhi dhe turizmi i cilësisë së lartë të forcojnë njëri-tjetrin. Sepse në fund, askush nuk udhëton mijëra kilometra për të parë atë që gjen më afër. Njerëzit udhëtojnë për të parë atë që është unike. Dhe për Shqipërinë e shumë gjërave unike, një nga gjërat më unike janë pikërisht flamingot e Vlorës dhe bukuria e rrallë e Zvërnecit. Madje ka edhe një detaj domethënës.
Në Baha Mar, një nga markat kryesore të projektit është Rosewood Baha Mar, një nga emrat më prestigjiozë të hotelerisë luksoze në botë. E njëjta markë është gjithashtu në dosjen e investitorëve të projektit të Zvërnecit”, shkruan Rama.
Ndërkohë, vijoi ai, që në Zvërnec do të jenë të pranishme edhe disa nga markat më të njohura globale të mikpritjes së nivelit ultra-luks, nga Cheval Blanc te Mandarin Oriental, e deri te Atlantis Resorts, marka që kontribuoi në transformimin e Dubait në destinacionin numër një turistik të Gjirit Arabik dhe që tani ka pranuar të vijë për herë të parë në Europë, në Vlorë, pasi e ka refuzuar gjithnjë ardhjen në kontinentin e vjetër.
Sipas tij, kjo nuk do të thotë se Shqipëria duhet apo do të bëhet Bahamasi. Aspak. Megjithë respektin për atë vend, Shqipëria ka shumë më shumë potenciale.
“Kjo do të thotë se Shqipëria ka mundësinë të ëndërrojë fort dhe të ndërtojë një model spektakolar të sajin, ku natyra nuk izolohet nga zhvillimi, por bëhet arsyeja pse zhvillimi ka vlerë. Shkurt fjala, në jo pak nga destinacionet më të suksesshme turistike të botës, flamingot janë pjesë e suksesit të tyre” tha Rama.
Në përfundim të reagimit të tij, Rama u shpreh se “budallallëku që e ka mbajtur Shqipërinë peng 100 vjet, s’ka për ta ndalur dot të vazhdojë rrugën e nisur për ta futur këtë vend në ligën e kampionëve të turizmit botëror”.




Comments are closed.