Rama: Do të shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike, ka përmbushur misionin e tij
Kryeministri Edi Rama deklaroi se ligji për investimet strategjike do të shfuqizohet në kuadër të procesit të harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Europian, duke theksuar se ai e ka përmbushur tashmë misionin për të cilin u krijua.
Gjatë një konference me gazetarë të mediave europiane, Rama tha se ligji nuk ka qenë asnjëherë i padrejtë, por shtoi se Shqipëria nuk ka më nevojë për të, pasi vendi ka arritur të tërheqë investitorë të mëdhenj ndërkombëtarë.
“Ligji për investimet strategjike kurrë nuk ka qenë i padrejtë. Megjithatë, gjëja e mirë është se do ta lëmë pas, sepse e ka përmbushur misionin e vet. Nuk është se po luftojmë për ta mbajtur. Thjesht ka ardhur koha që të zëvendësohet”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, ky ligj ka luajtur një rol të rëndësishëm në tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri në një periudhë kur vendi kishte nevojë për instrumente shtesë për të nxitur kapitalin ndërkombëtar.
“Ligji për investimet strategjike na ka ndihmuar të sjellim në Shqipëri investime që përndryshe nuk do të kishin ndodhur. Sot situata është ndryshe. Kapitali po hyn, investitorët e mëdhenj po vijnë dhe nuk janë më të interesuar për lehtësira të veçanta, por për siguri juridike dhe standarde të qarta”, u shpreh ai.
Rama bëri të ditur se qeveria po punon tashmë për një ligj të ri për investimet, në bashkëpunim me Bashkimin Europian, si pjesë e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit.
“Po punojmë me Bashkimin Europian për një ligj të ri të investimeve. Çdo gjë që bëjmë bazohet në standardet europiane dhe në kuadrin negociues që kemi me Komisionin Europian”, tha kryeministri.
Ai sqaroi se shfuqizimi i ligjit aktual nuk lidhet me debatet e fundit për investimin e planifikuar në Zvërnec apo me protestat kundër këtij projekti.
“Nuk ka asnjë lidhje me atë që po ndodh në rrugë apo me këtë histori. Është një proces i përcaktuar prej kohësh në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian. Afatet janë të shkruara dhe janë pjesë e marrëveshjeve tona me Komisionin Europian”, theksoi Rama.
Duke folur për investimin e planifikuar në Zvërnec, kryeministri akuzoi kundërshtarët e projektit për përhapje të dezinformimit dhe lajmeve të rreme, ndërsa paralajmëroi se qeveria do të publikojë dokumente dhe fakte për të kundërshtuar, sipas tij, narrativat e krijuara rreth projektit.
Ai deklaroi se pas investimit qëndron një konsorcium i madh ndërkombëtar dhe se procesi është ende në fazën e studimeve dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis.
“Ka një interes nga një grup investitorësh për të sjellë rreth 4 miliardë euro investime në Shqipëri. Ata kanë angazhuar ekspertët më të mirë në fushën e arkitekturës, mjedisit dhe planifikimit urban. Fillimisht do të kryhet vlerësimi mjedisor dhe më pas do të kemi projektin përfundimtar”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh i bindur se projekti nuk do të ndalet përpara se të vlerësohet mbi bazën e fakteve dhe rezultateve konkrete.
“Ky është një sulm për të vrarë një projekt përpara se të lindë. Kjo nuk do të ndodhë. Nëse projekti do të përmbushë të gjitha standardet dhe ambiciet tona, ai do të ecë përpara. Nëse nuk i përmbush, do të kërkojmë ndryshime. Por nuk mund t’i thuash investimit ‘largohu’ përpara se të ekzistojë projekti”, deklaroi Rama.







