Putin shpall armëpushim 2-ditor, paralajmëron sulme nëse Ukraina ndërhyn
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, njoftoi një armëpushim dy-ditor më 8 dhe 9 maj në luftën me Ukrainën, me rastin e festimeve të Ditës së Fitores, që përkujton fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, ushtria ruse do të respektojë një armëpushim të njëanshëm bazuar në vendimin e Putinit si komandant suprem i forcave të armatosura.
Megjithatë, ministria paralajmëroi se nëse pala ukrainase përpiqet të prishë festimet, do të ketë “një sulm masiv me raketa” në qendër të Kievit.
Në deklaratë theksohet se Rusia është përmbajtur më parë nga veprime të tilla për arsye humanitare, por është e gatshme të reagojë nëse armëpushimi nuk respektohet. Autoritetet ruse u bënë gjithashtu thirrje civilëve dhe stafit diplomatik të largohen nga qyteti në kohë.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e hodhi poshtë propozimin për armëpushim si “jo serioz”, duke theksuar se Kievi nuk ka marrë ende një propozim zyrtar nga Moska.







