Puigdemont ‘fiton’, gjykata belge pezullon ekstradimin e tij në Spanjë



Drejtësia belge ka pezulluar procedurat e ekstradimit në Spanjë të separatistëve katalanas Carles Puigdemont dhe Toni Comin. Vendimi i gjykatës belge bazohet në vendimin e fundit nga Gjykata Europiane e Drejtësisë e 19 dhjetorit 2019, e cila njohu të drejtën e imunitetit të një separatisti tjetër të Katalonjës, Oriol Junqueras, si anëtar i Parlamentit Europian.
Puigdemont dhe Comin u zgjodhën gjithashtu në Parlamentin Europian dhe për këtë arsye gëzojnë imunitet, derisa përfundimisht vetë Parlamenti të vendosë të kundërtën. Ish-kreu i qeverisë Katalanase, Puigdemont u strehua në Belgjikë në tetor 2017 dhe akuzohet për rebelim dhe mbajtjen e referendumit për pavarësinë në Kataloni. Për të njëjtat krime akuzohet edhe ish-krahu i tij i djathtë në qeveri, Junqueras, i cili mori dënimin më të rëndë pasi u dënua me 13 vjet burg në Spanjë.
Në një postim në twitter mbas vendimit të gjykatës belgem Puigdemont u shpreh se “Drejtësia belge njeh imunitetin tonë dhe vendosi të pezullojë urdhrin e arrestit dhe ekstradimin“. Ai i bën thirrje vendit të tij, Spanjës, e cila “duhet të veprojë si Belgjika dhe të respektojë ligjin.”
Eunews.al

