×
Tuesday, July 14, 2026

Anadolu: Samiti i NATO-s në Tiranë dëshmon rëndësinë strategjike të Shqipërisë në Aleancë

July 14, 2026


Vendimi që samiti i ardhshëm i NATO-s të zhvillohet në Tiranë po vlerësohet si një sinjal i rëndësisë strategjike që Aleanca i kushton Ballkanit Perëndimor dhe krahut të saj juglindor. Kështu shkruan Anadolu Agency, e cila e cilëson Shqipërinë një hallkë kyçe në arkitekturën e sigurisë së NATO-s në rajon.

Sipas medias turke, organizimi i samitit në Shqipëri nuk është thjesht një ndryshim i vendit pritës, por një hap simbolik që synon të forcojë angazhimin politik dhe ushtarak të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Anadolu vë në dukje se pozicioni gjeografik i Shqipërisë në brigjet e Adriatikut, roli i saj në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe orientimi i qartë pro-perëndimor që prej anëtarësimit në NATO në vitin 2009 e kanë bërë vendin një partner të rëndësishëm të Aleancës.

Në analizë theksohet gjithashtu kontributi i Shqipërisë në misionet e NATO-s në Afganistan, Kosovë dhe Irak, si edhe rritja e investimeve në mbrojtje për të përmbushur objektivat e vendosura nga Aleanca.

Sipas Anadolu Agency, për NATO-n Ballkani Perëndimor nuk është vetëm një çështje e sigurisë rajonale, por edhe një element i rëndësishëm i strategjisë për të kufizuar ndikimin e Rusisë në Evropë.

Media turke ndalet edhe te profili ndërkombëtar i kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë një nga liderët që ka rritur dukshmërinë e tij në politikën evropiane gjatë viteve të fundit.

Sipas analizës, Rama ka mbështetur fuqishëm politikat perëndimore ndaj Rusisë pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe është shndërruar në një nga zërat më aktivë të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian. Organizimi nga Shqipëria i Samitit të Komunitetit Politik Evropian në vitin 2025 përmendet si një tjetër zhvillim që ka forcuar profilin e tij diplomatik.

Anadolu thekson gjithashtu se marrëdhëniet e ngushta të Ramës me liderët e Bashkimit Evropian dhe administratën amerikane e kanë bërë atë një nga aktorët politikë më të rëndësishëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Sipas medias, samiti i NATO-s në Tiranë pritet të fokusohet në rritjen e prodhimit të industrisë së mbrojtjes, forcimin e rolit të Evropës në sigurinë e kontinentit, zhvillimin e sistemeve pa pilot dhe përdorimin ushtarak të inteligjencës artificiale, si edhe në luftën kundër kërcënimeve hibride, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Në përfundim, Anadolu Agency vlerëson se organizimi i samitit do t’i japë Shqipërisë mundësinë të konsolidojë pozicionin e saj si një aktor që kontribuon në diskutimet strategjike për të ardhmen e NATO-s dhe ta vendosë Ballkanin Perëndimor më fort në agjendën ndërkombëtare.




Comments are closed.