×
E shtunë, 16 Janar, 2021

Për një shtëpi në Tiranë duhen 20 vite, “rrogtari” Lulzim Basha bën 4 vila e 1 supermakinë vetëm për 9 muaj. Pse SPAK nuk heton?!

7 Dhjetor, 2020

Rastësisht po lexoja tabelën e çmimeve të apartamenteve në Tiranë. Nuk isha i interesuar, por më tërhoqi vëmendjen fakti se çmimet janë tepër të larta duke marrë parasysh nivelin e të ardhurave. Duke mos hyrë në detaje në lidhje me çmimin e apartamenteve në kryeqytet, ajo që na bëri përshtypje është fakti se asnjë rrogtar shqiptar nuk ka aq para në dorë apo në bankë sa të blejë shtëpinë menjëherë. Por dhe për kredinë për banesën, një çift shqiptar mund ta likujdojë dhe ta bëjë të veten shtëpinë në kryeqytet për 20 vite punë. Ja me ndonjë ndihmë, përgjysmohet në 10 vite!

Sado paga të larta të kenë, sado të kursejnë e kanë të vështirë likujdimin e kredisë për një banesë në Tiranë, nën kuotën e 10 viteve kursime, përpjekje dhe jetë “askete”. Por me rëndësi është fakti që të ardhurat duhet të jenë të vazhdueshme, pasi mund të të ikë fare shtëpia. Këto shifra po shihja, teksa dëgjoja Lulzim Bashën, kreun e PD teksa premtonte për të gjithë të rinjtë shqiptarë, se nuk kishin nevojë që të shkonin në emigrim, pasi do ua krijonte “parajsën” këtu në Shqipëri. Dhe një i ri dhe mendon të lidhë jetën me dikë, prioritet të parë ka punësimin, e vështirë të punësohen sipas premtimit të Bashës kush përfundon shkollën e lartë, dhe strehimin. Me kredi.

Sado të larta të jenë pagat në Shqipëri, maksimumi i likujdimit të shtëpisë së marrë me kredi është 20 vite dhe me ndonjë ndihmë siç e thamë, mund të zbresë në 10 vite. Premtimin Basha e bëri dhe në një familje në Kukës, ku kryefamiljari deklaroi se kishte dy djem në Angli dhe një në Amerikë. Kishte shtëpi të mirë zotëria, që deklaroi se po të fitonte Basha, ai do t’i sillte djemtë nga SHBA dhe Anglia për të jetuar në Kukës.

A pranojnë djemtë të kthehen, se emigracioni ka prekur tashmë dhe disa vende të BE dhe e quajnë veten me fat kur gjejnë punë të mira. Komentues në postimin e Bashës e quanin me fat këtë familje me tre djem në vendet më të zhvilluara të botës. Por Basha këmbëngul në të tijën. Pavarësisht se “emigracioni” Lulzim Bashës i ka ecur mrekulli! Kur ishte ende pa mbaruar shkollën, bleu një shtëpi në Utreht-Holandë, 231 mijë e 500 euro.

Bashkëjetoi me bashkëshorten e ardhshme Aurela, dhe si dy studentë të mirë ndoshta kanë punuar fort, dhe kanë ndarë dhe shpenzimet përgjysmë. Por prap shumë për një rrogtar që bën punë paralel me shkollën. Zakonisht në Europë një kontigjent i tillë paguhen me gjysmë norme, dhe për pasojë dhe me gjysmë page. Pastaj Lulzim Basha “emigroi” në Kosovë, dhe pas një pune në Tribunalin e Hagës dhe në UBNIK duke kopsitur dosjet kundër UÇK për krime luf te, brenda 5 -6 vitesh kthehet në Shqipëri dhe futet në politikë në vitin 2005 me plot 1 milionë euro pasuri.

Nuk ka matematikë që e llogarit një pasuri të tillë, në gati 7 vjet punë, pjesa më e madhe ligjërisht me gjysmë rroge. Megjithëse Basha nuk ka sjellë asnjë dokument në Inspektoratin e Lartë të Pasurisë që të justifikojë të ardhurat! As ata nuk e kanë pyetur më tej në fakt! Nuk pyetet kurrë se ku e ke bërë milionin e parë, por kjo është për bizneset jo për politikën e politikanët! Përtej akuzave për përvetësimin e 230 milion eurove në Rrugën e Kombit apo parave të tjera andej këndej, gjithnjë sipas akuzave, pa mohuar lobimet me para ruse në SHBA, Lulzim Basha periudhën më të artë të vënies së pasurisë e kishte ruajtur për pragun e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe pandeminë e tërmetin më 2019 e 2020. Hyri në zgjedhje pasi mori siguri se do të dëmshpërblehej vjehrri i tij për pallatin e ndërtuar pa leje në bregdetin e Vlorës. Nuk janë pak , por plot 13.5 milionë euro për një pallat që duhej të ishte shembur si ndërtim pa leje, dhe duhej të ishte shoqëruar dhe me një gjobë të majme kundër pronarit që e kishte ndërtuar. Jo të dëmshpërblehej.

Por tërmeti dhe pandemia ishte dhe koha më e artë për shtimin e pasurisë nga ana e Lulzim Bashës dhe familjes së tij. Nën pretendimin e dëmtimit të apartamentit përballë stadimit të ri “Air Albania” nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Basha dhe Kunati morën dy vila afër e afër tek kompleksi më luksoz në periferi të Tiranës! Pra kreu i PD po jeton në kompleksin e vilave “Long Hill” së bashku me familjen. Basha kundërshton duke thënë se janë me qira, por deri më tani nuk kemi parë asnjë kontratë qiraje, ndërsa “oligarku” Papuli ka qënë dhe “bamirësi” i kreut të PD. Dhe në kulmin e pandemisë, si të mos mjaftonin vilat në Tiranë në zonën më të preferuar të saj, si dhe gjendja e konfirmuar e shkëlqyer e apartamentit përballë stadiumit, kreu i PD merr dhe dy vila të tjera në Hamalaj të Durrësit.

S’mund të qëndronte larg Berishës dhe Metës me sa duket, por dhe në “bisht” të tyre. Po të pyesësh për këto vila, monimumi i kalojnë secila 1 milionë eurot si vlerë. Janë supermoderne, me hapësira të mira, me pishina dhe në vendet më të preferuara. Këtë çmim kanë dhe të Tiranës! Me sa duket Basha i kishte menduar të gjitha këto lëvizje, pasi pak kohë më parë kishte marrë në pronësi një super-Benz të tipit: 221, Modeli: S 350 me targa AA 111 EN!

Duhej të shkonte si “zotni” në “Long Hill” apo në Hamallaj tek vilat e reja. Vlera e këtij Mercedez Benzi shkon deri në 130 mijë euro. Deri më tani as këtë shpenzim luksi Basha nuk e ka shpjeguar, duke nënvizuar sa herë del në media se janë shpifje! Tani gazetarët as që ia kujtojnë më historinë e katër vilave dhe një supermakine të siguruar për 9 muajt e pandemisë dhe përballimit të pasojave të tërmetit. Janë gjëra të tjera me “rëndësi”! Pra rrogtari Basha ka siguruar në 9 muaj katër vila në zonat më të shetrenjta në Tiranës dhe Durrësit dhe një makinë që vlen 130 mijë euro. Janë shumë për një rrogtar, që bazuar në të ardhurat që merr si kryetar i PD, deri më tani s’ka deklaruar biznes dhe as pakësim të të ardhurash, për të blerë një shtëpi do t’i duheshin të paktën 10 vite për ta likujduar. Si të gjithë të tjerët. Por Basha i paguan “trëng” në dorë.

Deri më tani, megjithëse e kanë akuzuar që nga disa media investiguese e deri tek numri dy i PS Taulant Balla, apo dhe kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Basha ka heshtur. Si për çudi ka heshtur dhe SPAK, që me sa duket ka qënë i zënë me hetimin e një djali që kishte dhënë 5 mijë lekë të vjetra ryshfet policisë. Të cilat u vendos që t’i kthehen arkës së shtetit. Mbetemi me shpresë që gjërat e vogla të “pjellin” të mëdhatë dhe Prokuroria Speciale të hetojë të paktën të gjitha këto akuza ndaj kreut të PD për pasurinë marramendëse të patundshme të vënë në 9 muaj krizë tërmeti e pandemie. Ta nxjerrë të pastër të paktën! Ndryshe do të na ndodhë që, shqiptarët do të jetë të dënuar të dëgjojnë jo vetëm Bashën që ka bërë këto pasuri marramendëse, por dhe politikanë të tjerë që flasin “lirshëm” pas shitjes 41 milionë dollarë të kompanive së naftës që u ngritën e bënë namin nën qeverisjen e PD. Apo politikanë që kanë vërë pasuri, me para “gjaku”, si “taksë” ndaj komandove shqiptarë që me misione paqeruajtese në Afganistan. Koha që SPAK të hapë ndonjë dosje të rëndë është në limit!/M.Nikaj-Tema

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për