Parlamenti Europian ndryshon ‘kurs’, Junqueras nuk mund të jetë më deputet



Oriol Junquera nuk do të jetë më një parlamentar europian. Këtë e deklaroi pak ditë më parë presidenti i institucionit, David Sassoli, pasi vlerësoi juridiksionin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
Politikani i pavarësisë Katalanase filloi të vuante një dënim përfundimtar prej 13 vjetësh për pjesëmarrjen e tij në shpalljen e referendumit të nëntorit 2017 për pavarësinë e Katalonjës, i cili u shpall i paligjshëm nga autoritetet spanjolle. Në zgjedhjet europiane të majit të kaluar ai ishte zgjedhur deputet europian, por autoritetet spanjolle nuk e kishin njohur kurrë këtë situate. E njëjta situatë aplikohet edhe për dy politikanë të tjerë të akuzuar, të zgjedhur, por jo të ndaluar sepse ishin strehuar në Belgjikë, Carles Puigdemont dhe Toni Comin.
Një vendim i Gjykatës së Drejtësisë, në dhjetor të 2019 e komplikoi situatën, duke qenë se vendosi se Junqueras duhet të konsiderohej plotësisht i zgjedhur që nga shpallja e rezultateve, dhe Parlamenti e njohu si europarlamentar. Sidoqoftë, për Junqueras, ndërkohë ka ardhur një vendim i formës së prerë nga Tribunali i Lart Spanjoll, dhe jurisprudenca evropiane i njeh këto vendime të drejtësisë kombëtare si efektive edhe kur bëhet fjalë për statusin e parlamentarëve.
Në deklaratën e tij të pak ditëve më parë, Presidenti Sassoli theksoi se mandati i Junqueras ‘përfundon’ më 3 janar 2020, sepse “sipas jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë, duket se Parlamenti Europian është i detyruar të përshtatet pa vonesë në vendimet përfundimtare të autoriteteve gjyqësore kompetente të Shteteve Anëtare“. Për këtë arsye Sassoli i ka kërkuar Spanjës të ” njoftojë shpejt Parlamentin për emrin e anëtarit të ri të Parlamentit Europian”
Eunews.al

