Ngritja e SPAK/ Ambasadori Gjermanisë Zingraf: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, çelësi i integrimit në BE



Gjermania përshëndet ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) në Shqipëri. Ky institucion i ri do të merret me hetimin dhe gjykimin për korrupsion të ish-pushtetarëve dhe atyre aktualë.
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, deklaroi se “nisja e veprimtarisë së SPAK-ut shënon një hap tjetër të rëndësishëm të reformës gjithëpërfshirëse të sistemit shqiptar të drejtësisë.
“U uroj prokurorëve të SPAK-ut shumë forcë dhe energji në këtë detyrë të rëndësishme. Lufta e konsoliduar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një ndër çelësat për progresin e mëtejshëm në procesin e integrimit në BE. Gjermania do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në këtë rrugë si një partner i ngushtë i saj”, thekson Ambasadori Zingraf në mesazhin e tij.
SPAK pritet të emërojë së shpejti anëtarët dhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që ngrihet mbështetur në modelin e Federal Byro of Investigation (Byroja Federale e Hetimit, FBI) në SHBA. Thellimi i reformës në Drejtësi është një nga kërkesat kryesore të BE për të bindur vendet e tij anëtare skeptike për të qënë pro hapjes potenciale të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë në samitin e BE dhe Ballkanit Perëndimor,(BP) që pritet të zhvillohet në pranverën 2020, në Zagreb. Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë janë ndërkohë në krye të listës së kushteve në Rezolutën e Bundestagut Gjerman, për t’u plotësuar nga Shqipëria, deri në samitin e pranverës.
Eunews.al

