Negociatat, Rama: Gjermania ka luftuar deri në fund si Presidencë e BE-së për ta çuar para procesin
“Gjermania është kampione në procesin e zgjerimit, vazhdon të ushqejë flakën e zgjerimit, flakën e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor, deklaroi sot në një intervistë televizive Kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se nga pikëpamja zyrtare negociatat janë hapur dhe tashmë duhet miratuar korniza negociatore. Ai tha se në këtë pikë ka mungesë të konsensus për ta çuar para procesin.
Në lidhje me pyetjen se kur është konferenca ndërqeveritare dhe qëndrimin e kancelares gjermane Angela Merkel, Rama tha se brenda vendit u tha se Merkel bllokoi Edi Ramën, gjë që nuk qëndron.
“S’ka asnjë lidhje. Gjermania ka Presidencën në BE dhe Gjermania ka luftuar deri mbrëmë si Presidencë e BE-së për ta çuar para procesin për të dyja vendet njësoj. Kështu kush flet për Gjermaninë, nuk di çfarë flet ose, di çfarë flet por e bën me qëllim”, u shpreh Rama.
“Gjermania ka qenë shumë e interesuar që Presidenca gjermane ta shënojë këtë sukses, sepse Gjermania është kampione në procesin e zgjerimit, vazhdon të ushqeje flakën e zgjerimit, flakën e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor. Nga pikëpamja zyrtare, negociatat janë hapur dhe duhet miratuar korniza negociatore që përfshin të gjitha parimet e negociimit dhe duhet bërë dhe konferenca. Deri mbrëmë është luftuar për kornizën negociatore”, u shpreh Rama.
“Kanë ngelur të gjitha gjerat pezull për shkak se nuk ka konsensus dhe konsensusin haptaz nuk e pengojnë 10 vende. Thelbi këtu është se BE nuk merr vendim nëse nuk janë të gjithë dakord, edhe kur bllokon vetëm një. Dhe ana tjetër e medaljes është që historia e procesit nuk është fare e lidhur me çfarë bëjmë ne, për sa kohë një vend, dy, tre, pesë kanë agjendën e tyre elektorale. Ka zgjedhje në mars në Holandë. Këtu është çështje e interesave të brendshme, narrativash të brendshme, dhe këtë nuk e luan topi”, tha Kryeministri Rama.
Rama shtoi se Holanda nuk na ka penguar më herët pasi ka dhënë konsensus për hapjen e negociatave. “Në mars është marrë vendimi që hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendimi është marrë”, u shpreh Rama.
“Tani procesi është që pasi hapen negociatat, formalisht me vendim duhet miratuar korniza negociatore. Pas saj bëhet konferenca e parë dhe pastaj ka një konferencë tjetër, kështu është ky proces”, tha ai.
Kryeministri Rama u pyet në lidhje me deklaratën e kancelares Merkel e cila siç u raportua në media tha për konferencën e parë ndërqeveritare se “me gjithë përparimet nuk mund të premtoj se do ndodhë këtë vit, por shumë shpejt.
“Çështja është se Merkel sigurisht që nuk mund ta premtojë, sepse nuk varet nga Gjermania, varet nga konsensusi, në këtë rast nga Holanda që nuk e do këtë punë. Për çfarë arsye nuk e do, unë mund ta them qartësisht se arsyeja është se ka zgjedhje Holanda. Çështja është se janë narrativa të brendshme të cilat ndikojnë”, tha ai.
Rama theksoi se nuk është thelbi nëse Shqipëria i ka bërë apo si ka bërë detyrat dhe këtë nuk e përcaktojnë palët..
“Këtë e përcakton një organizëm që punon 24 orë, që paguhet nga taksapaguesit europianë që quhet delegacioni Europian i Komisionit Europian. Komisioni Europian paguhet për këtë punë, ka zyra të posaçme dhe Komisioni bën raporte që janë të bazuara në kritere objektive teknike. Nuk e di njëri në Holandë, se nuk punon njeri në Holandë për t’u marrë me Shqipërinë. Nuk e dinë në Berlin, as në Paris, nuk i kanë këto struktura dhe ua kam thënë në sy të gjithëve. Kur shtojnë miell dhe kur shtojnë ujë, duhet ditur se është mungesë e vullnetit për të shtyrë përpara procesin”, theksoi Rama.
Eunews.al