Negociatat/ Holanda: Shqipëria përparime në të gjitha fushat, me rëndësi krijimi i Gjykatës Kushtetueses



Qeveria holandeze njeh se Shqipëria ka vijuar të bëjë përparim në të gjitha fushat kryesore, ndërsa nënvizon se është me rëndësi krijimi i Gjykatës Kushtetuese funksionale në Shqipëri.
Në një njoftim për media të Ambasadës holandeze në Tiranë, thuhet se “Holanda mbetet e angazhuar në mënyre aktive për të mbështetur Shqipërinë në reformat e vazhdueshme në forcimin e shtetit ligjor”.
Në datën 6 tetor, Komisioni Europian publikoi paketën e zgjerimit, pjesë e së cilës ishte dhe raporti i progresit për Shqipërinë për 2020.
“Ditën e premten, 3 tetor, qeveria holandeze dërgoi në parlament vlerësimin e saj për këtë paketë zgjerimi. Po të njëjtën ditë, Ministri Blok dhe Ministri në detyrë Cakaj patën një takim online, gjatë të cilit Shqipëria u komplimentua për progresin e bërë me reformat, pavarësisht rrethanave të vështira. Sikurse citohet edhe në letrën dërguar Parlamentit, qeveria holandeze e njeh se Shqipëria ka vijuar të bëjë përparim në të gjitha fushat kryesore (prioritetet kyçe)”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ambasadës holandeze.
“Njëkohësisht, qeveria nënvizon se është e rëndësishme krijimi i Gjykatës Kushtetuese funksionale në Shqipëri, amendimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias si dhe vijueshmëria e punës me ndërtimin e track-record në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, vijon njoftimi i Ambasadës holandeze.
“Një herë që të gjitha kushtet e vendosura në mars 2020 sipas konkluzioneve të Këshillit Europian të jenë përmbushur, do të zhvillohet Konferenca e Parë Ndërqeveritare. Sonte ka patur një debat në parlamentin holandez në përgatitje të takimit të Këshillit Europian të Çështjeve të Përgjithshme që do të mbahet në datën 10 nëntor. Pjesë e këtij debati u fokusua në përgjithësi për paketën e zgjerimit, përfshi edhe Shqipërinë”, thuhet në njoftim.
Eunews.al
