Macron kundër Trump për trazirat: Komente të papranueshme dhe të pamenda

21 Oct 2026 • 16:40
Shpërndaje:

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kritikuar udhëheqësit e huaj që i kanë lidhur trazirat e fundjavës në Francë me emigracionin, duke i cilësuar deklaratat e tyre “të papranueshme dhe të pamenda”.

Gjatë një vizite në Katar të mërkurën, Macron kundërshtoi pretendimet se qytetet franceze ishin përfshirë nga dhuna e shkaktuar prej emigrantëve dhe islamistëve.

“Disa kanë pretenduar se jemi pushtuar nga turma emigrantësh dhe islamistësh, gjë që është plotësisht e pavërtetë”, deklaroi ai para gazetarëve.

Reklamë Ola

Reagimi i drejtohej edhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili këtë javë pretendoi se Franca po “pushtohet, plaçkitet dhe digjet nga emigrantët, xhihadistët dhe komunistët”.

Macron tha se Trump është mes udhëheqësve që po bëjnë fushatë politike duke shfrytëzuar ngjarjet në Francë.

Reklamë InterMedika

“Në momente të tilla kuptohet se kush e do Francën dhe kush jo”, u shpreh presidenti francez.

Gjatë fundjavës, qindra mijëra qytetarë protestuan paqësisht kundër kostos së jetesës dhe kushteve në arsim. Megjithatë, në disa qytete pati zjarrvënie në ndërtesa publike, plaçkitje dyqanesh dhe përplasje me policinë.

Sipas POLITICO-s, nuk ka prova që i lidhin incidentet e fundjavës me emigracionin.

Edhe udhëheqës nga vende të tjera europiane i kanë përdorur trazirat për të mbrojtur politikat e tyre kufizuese ndaj migracionit. Kryeministri hungarez Péter Magyar deklaroi se ngjarjet tregojnë arsyen pse Hungaria mbështet një qasje sa më të rreptë.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, u kërkoi udhëheqësve të huaj vetëpërmbajtje dhe i akuzoi se po shfrytëzojnë zhvillimet për qëllime elektorale, pa e kuptuar situatën.

Ai shprehu gatishmërinë për t’u dhënë vendeve përkatëse informacion, në mënyrë që të shmangin përhapjen e pretendimeve të rreme.