Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar rihapjen e diskutimeve për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke theksuar se përfshirja e Kievit në Aleancën Veri-Atlantike është një çështje me rëndësi për sigurinë e Europës.
Deklarata u bë të enjten, pas përfundimit të samitit të “Koalicionit të të Vullnetshmëve” në Berlin, ku udhëheqësit e vendeve europiane që mbështesin Ukrainën diskutuan për situatën e sigurisë dhe përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës me Rusinë.
“Mendoj se duhet ta rihapim çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO”, u tha Macron gazetarëve, duke argumentuar se Ukraina zotëron një ushtri të fortë dhe të pajisur mirë, e cila përbën një faktor të rëndësishëm për sigurinë europiane.
Presidenti francez theksoi gjithashtu rëndësinë e koordinimit mes vendeve europiane dhe Shteteve të Bashkuara në diskutimet për të ardhmen e Ukrainës.
Sipas tij, gjatë samitit në Berlin, udhëheqësit europianë patën mundësinë të shkëmbenin mendime me presidentin amerikan Donald Trump.
Në takim morën pjesë edhe dy të dërguarit e posaçëm të presidentit amerikan për çështjen e Ukrainës, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, të cilët zhvilluan diskutime me përfaqësuesit europianë.
“Patëm mundësinë të kishim dy të dërguarit specialë të Presidentit Trump, z. Kushner dhe z. Witkoff, të cilët patën mundësi të shkëmbenin mendime me ne gjatë këtij samiti”, deklaroi Macron.
Deklaratat e presidentit francez rikthejnë në vëmendje debatin për perspektivën euroatlantike të Ukrainës, në një kohë kur vendet aleate po diskutojnë garancitë e sigurisë që mund t’i ofrohen Kievit në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Çështja e anëtarësimit të Ukrainës në NATO mbetet një nga temat më të ndjeshme të diskutimeve për arkitekturën e ardhshme të sigurisë europiane.
Samiti në Berlin shërbeu si një platformë për koordinimin e qëndrimeve mes aleatëve të Ukrainës dhe për diskutimin e hapave të mëtejshëm diplomatikë, ndërsa lufta me Rusinë vazhdon.
Qëndrimi i Macron sinjalizon mbështetjen e tij për rikthimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO në agjendën politike të aleatëve, krahas përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.


