×
Thursday, March 27, 2025

Lufta kundër koronavirusit, Rama: Shqipëria është një histori suksesi

May 12, 2020


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference online për mediat ka folur për disa çështje, duke u fokusuar tek lehtësimi i masave që janë marrë kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), mundësinë e legalizimit të kanabisit mjekësor, procesin e reformës në institucionet e sistemit të drejtësisë dhe çështje të tjera.

Në lidhje me mundësinë e kultivimit të kanabisit në Shqipëri për arsye mjekësore, kryeministri Rama tha se konsultimet janë bërë dhe po i bëjnë me ekspertë të fushës në disa vende ku ka pasur eksperienca, sipas tij “jo të legalizimit të hashashit, por të futjes në jetën ekonomike dhe veprimtarinë sipërmarrëse të vendit, të përpunimit të kanabisit mjekësor”.

“Faktikisht tani janë pjekur kushtet. Kjo nuk është ndonjë shpikje. Kultivimi i kanabisit për arsye mjekësore tanimë është një trend botëror. Di që jemi në kohën kur duhet ta shtyjmë përpara këtë proces dhe do ta shtyjmë dhe brenda këtij sesioni të parlamentit ambicia është që ta kalojmë”, theksoi kryeministri i Shqipërisë.

Në lidhje me procesin e reformës në institucionet e drejtësisë, Rama u shpreh se, “Reforma në drejtësi nuk është një vepër ekskluzive e politikës shqiptare, por është një vepër në proces me bashkautorësinë e partnerëve ndërkombëtare. Jemi ne, është SHBA dhe Bashkimi Evropian”.

Për riatdhesimin e shqiptarëve në kampet e Sirisë, ai theksoi se është një situatë shumë komplekse, ndërsa theksoi më tej se, “Shpresoj të kemi rezultate sepse janë operacione shumë të ndërlikuara dhe shumë sensitive. Kemi praktikisht të gjithë regjistrin e personave shqiptarë që gjenden në ato situata edhe po punojmë. Shpresoj të kemi rezultate shpejt”.

“Masat do të vazhdojnë të lehtësohen”

Kryeministri Rama duke folur për masat dhe përballimin e situatës në lidhje me koronavirsuin, tha se faza e parë në luftën kundër COVID-19 është kaluar me sukses dhe sipas tij Shqipëria është një histori suksesi.

“Jam i shqetësuar për fazën e dytë sepse hapja sjellë me vete një sërë rreziqesh. Virusi nuk ka ikur, virusi është mes nesh dhe do të jetë me ne për një kohë të gjatë sikundër konstatohet nga të gjithë botërisht dhe na duhet shumë kujdes. Ne jem të përgatitur edhe për mundësinë e një vale të re infektimesh”, u shpreh Rama.

Kujtojmë se deri tani në Shqipëri janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 876 qytetarë, ku 682 qytetarë janë shëruar, ose rreth 78 për qind e të gjithë të prekurve, ndërsa mes tyre 31 kanë ndërruar jetë.

Rama u shpreh se janë duke diskutuar për lehtësimin e mëtejshëm të masave dhe shtoi se “Masat janë lehtësuar ndjeshëm dhe do të vazhdojnë të lehtësohen, por brenda muajt ne duam që edhe kufijtë tokësorë të hapen, shpresoj që kjo të jetë e mundur”.

Për shkak të COVID-19 në Shqipëri është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Nga data 27 prill, ka filluar zbatimi i strategjisë së rihapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset, ndërsa prej datës 18 maj do të lehtësohen në aktivitetet e tyre një grup tjetër biznesesh.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments