Letra publike e familjes Rasha: Një lutje për të gjithë djemtë: Mos u manipuloni nga politika



Familja e Klodian Rashës, 25-vjeçarit që u vra nga një efektiv policie mëngjesin e 8 dhjetorit, bën thirrje për qetësi me anë të një letre publike duke kërkuar që dhimbja e tyre të mos thellohet më tej me padrejtësi të tjera.
Mes të tjerash, në letrën publike e cila disponohet nga Top Channel, anëtarët e familjes Rasha shkruajnë se “pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij”.
Më këtë frazë keqardhjeje nis letra publike e familjes së 25-vjeçarit, për vrasjen e të cilit ka pasur protesta të dhunshme ditëve të fundit në Tiranë dhe në disa qytete.
“Ato që po shohim pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë. Po na e thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme”, thuhet në letër.
“Djalit tonë”, vijojnë familjarët e Klodian Rashës, “ia mori jetën arma e një polici”. Ndaj familja kërkon drejtësi deri në fund.
“Por rrëmujat në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici nuk sjellin drejtësi, por vetëm padrejtësi të tjera”, shprehen familjarët.
“Ne i jemi pranë familjes së policit që rrezikon të humbë sytë dhe i lutemi të gjithë djemve të rrëmbyer nga inatet e politikes te mos manipulohen nga politika”, shkruajnë familjarët e Klodianit.
“Politika që kërkon rrëmujë dhe shkatërrim nuk sjell drejtësinë po rrezikon jetë të tjera djemsh të pafajshëm dhe shqetëson mburrë popullin shqiptar. Ne dëshirojmë shumë që vdekja e tmerrshme e djalit tonë të vlejë për të mos i ndodhur kurrë askujt e njëjta tragjedi”, vijon letra.
Por, shprehen familjarët e 25-vjeçarit të vrarë, “e drejta duhet te shkoje në vend në gjykatë dhe ne e presim nga shteti ta garantojë drejtësinë, jo nga dhuna politike”.
“Politikanët t’i thërrasin mendjes se boll e kanë lodhur këtë popull me lojërat e tyre dhe te mos i hedhin benzine zjarrit për interesin e tyre. Duam t’i falënderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhimbjen tonë të madh dhe ua shpërblefshim veç në gëzime! Të shkuara policit të plagosur dhe veç te mira pastë bashke me prindërit dhe familjen e tij”, thuhet në letrën e familjarëve të Klodian Rashës.
Eunews.al

