Balla: PD nuk ka mandat të flasë në emër të protestuesve, kërkesat e tyre i zëvendësoi me hallet e veta
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Partia Demokratike nuk ka mandat për të përfaqësuar protestuesit dhe nuk mund të flasë në emër të protestës së zhvilluar në Tiranë.
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla tha se u ka kërkuar përfaqësuesve të opozitës të sqarojnë me çfarë mandati janë paraqitur si zëdhënës të protestuesve, por sipas tij nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“I kam pyetur përfaqësuesit e opozitës në Konferencën e Kryetarëve se me çfarë mandati kanë ardhur si zëdhënës të protestës, por nuk mora asnjë përgjigje. U kam bërë të qartë se nuk i njoh si përfaqësues të protestuesve”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se mazhoranca është e gatshme të dëgjojë çdo grup apo përfaqësues të protestuesve që paraqet zyrtarisht kërkesat e tyre, por jo Partinë Demokratike.
Sipas Ballës, opozita ka ndryshuar përmbajtjen e kërkesave të protestuesve, duke shtuar çështje që lidhen me interesat e saj politike.
“Po t’i merrje kërkesat që kishte sjellë opozita si lexim i kërkesave të protestës, vetëm numri ishte i njëjtë, pesë. Vetëm pika e parë, dorëheqja e qeverisë, ishte e njëjtë. Pastaj opozita në emër të protestuesve kishte sjellë katër halle të veta”, u shpreh ai.
Balla tha se, sipas tij, protestuesit kanë artikuluar kërkesa që lidhen me ndryshime kushtetuese, reformimin e Kodit Zgjedhor dhe ngritjen e një qeverie teknike me mandat 12-mujor.
Ai theksoi se anëtarët e mazhorancës në Konferencën e Kryetarëve ia kanë bërë të qartë opozitës se nuk e njohin si përfaqësuese të protestës.
Në përfundim, Balla u bëri thirrje organizatorëve të protestës të sqarojnë publikisht nëse Partia Demokratike ka marrë mandat për t’i përfaqësuar në institucionet politike.
Ai shtoi se sapo në Kuvend të mbërrijë një kërkesë zyrtare me shkrim nga protestuesit, institucionet do t’i japin një përgjigje zyrtare kërkesave të tyre.







