Kuvendi i Shqipërisë miratoi në parim, pak pas mesnatës, projektbuxhetin e vitit 2027 me 80 vota pro, pas diskutimeve në seancën plenare. Deputetët votuan gjithashtu disa projektligje të paketës së re fiskale dhe ndryshime në legjislacionin për strehimin social.
Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon shpenzime prej mbi 10 miliardë eurosh, duke u paraqitur nga qeveria si buxheti më i madh në historinë e vendit. Sipas objektivave të përcaktuara, ai synon ruajtjen e rritjes ekonomike, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe zgjerimin e mbështetjes për kategoritë sociale.
Financimi do të përqendrohet në sektorë si mbrojtja sociale, arsimi, shëndetësia, bujqësia, mbrojtja dhe siguria kombëtare, ndërsa investimet publike dhe reformat në kuadër të integrimit europian mbeten ndër prioritetet e qeverisë.
Projektbuxheti mbështetet në tri drejtime kryesore: përmirësimin e mirëqenies dhe mbrojtjes sociale, ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe qëndrueshmërisë së financave publike, si dhe nxitjen e investimeve dhe reformave që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Pas miratimit në parim të projektbuxhetit, Kuvendi vijoi me votimin e pesë projektligjeve që përbëjnë paketën e re fiskale.
Me 80 vota pro u miratuan ndryshimet dhe shtesat në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, si dhe ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”.
Ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare” morën 79 vota pro, ndërsa ato në ligjin “Për akcizat” u miratuan me 80 vota.
Gjatë seancës, deputetët miratuan gjithashtu me 70 vota pro ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”.
Kuvendi miratoi me 80 vota pro edhe projektvendimin për ndryshimin e vendimit mbi ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Miratimi në parim i projektbuxhetit i hap rrugë vijimit të procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin përfundimtar të ligjit të buxhetit të shtetit për vitin 2027.


