Kundërshtarët e Infantinos bashkohen për reformimin e FIFA-s

11 Aug 2026 22:50
Shpërndaje:

Kundërshtarët e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, po bashkojnë forcat për të hartuar një model të ri për qeverisjen e futbollit botëror, në një lëvizje që mund të çojë në sfidën më serioze ndaj drejtimit të tij gjatë dekadës së fundit.

Sipas burimeve të cituara nga The Guardian, UEFA, Konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF) dhe Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) po punojnë për hartimin e një dokumenti të përbashkët politikash, i cili do të përcaktojë mënyrën se si, sipas tyre, duhet të funksionojë FIFA në të ardhmen.

Nisma vjen në një moment tensionesh të forta brenda futbollit ndërkombëtar. Tri konfederatat kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur një shqyrtim të pavarur të mënyrës së qeverisjes së FIFA-s, por sipas burimeve këto kërkesa janë injoruar nga Infantino.

Reklamë Ola

Dokumenti që po përgatitet pritet të shkojë përtej kritikave ndaj drejtimit aktual dhe të propozojë një model konkret alternativ. Ai do të trajtojë rolin që duhet të ketë FIFA në futbollin ndërkombëtar, strukturën e organizatës, mënyrën e qeverisjes dhe shpërndarjen e fondeve mes federatave anëtare.

Një nga çështjet më të rëndësishme lidhet me financat e FIFA-s. Organizata zotëron rezerva që vlerësohen në rreth 5 miliardë dollarë dhe kundërshtarët e Infantinos kërkojnë një debat mbi mënyrën se si këto para duhet të administrohen dhe shpërndahen në futbollin botëror.

Reklamë InterMedika

Nëse Infantino vazhdon të mos angazhohet në ndryshimet e kërkuara, dokumenti mund të marrë edhe një rëndësi të drejtpërdrejtë politike përpara zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s vitin e ardhshëm.

Sipas burimeve, kuadri i ri mund të shërbejë si platformë për një kandidat që do të sfidonte Infantinon për presidencën. Por skenari mund të shkojë edhe më tej. Nuk përjashtohet që dokumenti të përdoret si pikënisje për krijimin e një strukture të re të futbollit ndërkombëtar, të shkëputur nga FIFA, nëse përplasja nuk zgjidhet.

Tensionet janë përshkallëzuar veçanërisht pas publikimit të planit për shitjen e të drejtave të Kupës së Botës, i cili ka shkaktuar kundërshtime të forta dhe ka shtuar kërkesat për më shumë transparencë në drejtimin e organizatës.

Të hënën, UEFA, CONCACAF dhe AFC dolën me një deklaratë të përbashkët, duke kërkuar “udhëheqje që i shërben futbollit, jo që kërkon ta komandojë atë”.

Tri konfederatat kanë nisur gjithashtu diskutime paraprake për mundësinë e organizimit të kompeticioneve të reja, nëse marrëdhëniet me FIFA-n dhe drejtimin e saj arrijnë në një pikë ku bashkëpunimi aktual nuk mund të vazhdojë.

Përplasja e parë konkrete mund të vijë shumë shpejt dhe lidhet me Kupën e Botës për Femra U-20, e planifikuar për muajin e ardhshëm.

UEFA ka paralajmëruar se ekipet evropiane mund ta bojkotojnë turneun nëse FIFA nuk ndërmerr hapa të shpejtë për krijimin e një hetimi të pavarur mbi çështjen e shitjes së të drejtave të Kupës së Botës.

Konfederata evropiane kërkon gjithashtu garanci ligjërisht të detyrueshme që një situatë e ngjashme nuk do të përsëritet.

Në qendër të zhvillimeve politike brenda FIFA-s po del edhe presidenti i CONCACAF, Victor Montagliani. Ai konsiderohet aktualisht si një prej emrave më të mundshëm për të sfiduar Infantinon në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Montagliani, megjithatë, nuk ka shpallur një kandidaturë. Ai ka deklaruar më herët se prioriteti i tij është rizgjedhja në krye të CONCACAF vitin e ardhshëm.

Qëndrimi i përbashkët i tri konfederatave duket se përputhet edhe me deklaratat e mëparshme të Montaglianit për mënyrën se si duhet të drejtohet futbolli botëror. Gjatë Kongresit të FIFA-s në Vancouver, ai kishte deklaruar se “lidershipi nuk ka të bëjë me pushtetin”.

Ndërkohë, lëvizjet pritet të intensifikohen edhe brenda futbollit evropian. Zyrtarë të lartë do të zhvillojnë një seri takimesh në Salzburg, në prag të Superkupës së UEFA-s mes Paris Saint-Germain dhe Aston Villa.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, pritet të takohet me Nasser Al-Khelaifin, kreun e Klubeve Evropiane të Futbollit, me synimin për të konsoliduar unitetin mes aktorëve kryesorë të futbollit evropian dhe për të shtuar presionin për ndryshime në FIFA.

Për momentin, UEFA nuk po tërhiqet nga kërcënimi për bojkotimin e garave të FIFA-s. Nëse nuk arrihet një kompromis dhe nuk jepen garancitë e kërkuara, përplasja mund të kalojë nga një konflikt mbi qeverisjen dhe financat në një krizë shumë më të gjerë institucionale për futbollin botëror.