×
Thursday, July 16, 2026

Kumbaro: Projekti “Smart City” do të rrisë sigurinë në shkolla përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale

July 16, 2026


Projekti kombëtar “Smart City” është prezantuar në praninë e kryeministrit Edi Rama, ministres së Arsimit Mirela Kumbaro dhe ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, si pjesë e strategjisë së qeverisë për dixhitalizimin e shërbimeve publike dhe rritjen e sigurisë në vend.

Gjatë prezantimit, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro theksoi se siguria në shkolla dhe krijimi i një mjedisi ku çdo fëmijë të ndihet i mbrojtur, i barabartë dhe i mbështetur për të mësuar mbetet një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Arsimit.

Sipas saj, projekti “Smart City” synon të ndërtojë një sistem inteligjent sigurie, i cili do të parandalojë problematikat përpara se ato të ndodhin, përmes monitorimit dhe analizës së të dhënave.

“Me projektin ‘Smart City’ po punojmë të ndërtojmë një sistem që kontrollon territorin për ta bërë më të sigurt dhe më të shëndetshëm, ku pamjet e përftuara prej këtyre kamerave mos të shërbejnë vetëm si element hetimi pasi ka ndodhur një incident, por mbi të gjitha si mekanizëm parandalimi”, u shpreh Kumbaro.

Ajo theksoi se sistemi arsimor mbështetet aktualisht në punën e 329 oficerëve të sigurisë, si dhe 1,183 psikologëve dhe punonjësve socialë, duke nënvizuar se teknologjia nuk do t’i zëvendësojë ata, por do t’u japë më shumë mjete për të parandaluar konfliktet dhe për të ndërhyrë në kohë.

“Teknologjia vjen për ta fuqizuar këtë rrjet mbështetës, jo për ta zëvendësuar atë. Ajo do t’i ndihmojë të gjithë këta profesionistë të kenë informacionin e nevojshëm për të ndërhyrë më herët, për të parandaluar konfliktet dhe për ta kthyer komunikimin në mjetin më të fortë të edukimit”, deklaroi ministrja.

Kumbaro shtoi se qasja e Ministrisë së Arsimit nuk synon mbikëqyrjen e nxënësve, por edukimin e tyre përmes një shkolle që shkon përtej procesit mësimor.

“Ne nuk duam të kemi fëmijë të survejuar, por të edukuar. Përmes programeve si ‘Programi Pas Shkolle’, ‘Shkolla Verore’ dhe ndalimit të përdorimit të telefonit celular gjatë orarit të mësimit, synojmë të formësojmë qytetarë të edukuar, ku ndërgjegjja të jetë ‘kamera’ e gjithsecilit”, tha ajo.

Sipas qeverisë, projekti kombëtar “Smart City” do të krijojë një sistem të integruar për monitorimin inteligjent të sigurisë në shkolla, hapësirat publike dhe trafikun rrugor. Në fazën e parë të zbatimit, projekti parashikon pajisjen me kamera të 20 shkollave në vend, duke përdorur teknologjinë dhe inteligjencën artificiale për të rritur sigurinë dhe për të parandaluar incidentet.




Comments are closed.