×
Thursday, July 16, 2026

SHBA vijon sulmet ndaj Iranit për të gjashtën ditë, Shtëpia e Bardhë: Teherani po shkel marrëveshjen Lajmi:

July 16, 2026


Forcat e Shteteve të Bashkuara kanë ndërmarrë për të gjashtën ditë radhazi sulme ushtarake ndaj Iranit, duke shtuar pasigurinë mbi mundësinë e rifillimit të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), sulmet e fundit u kryen të enjten në orën 14:00 me synimin për të “dobësuar më tej kapacitetet ushtarake të Iranit”.

Operacionet zhvillohen ndërsa SHBA ka rivendosur bllokadën detare ndaj anijeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit, megjithëse Shtëpia e Bardhë vazhdon të deklarojë se një marrëveshje paqeje mbetet ende e mundur.

Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se sulmet janë përgjigje ndaj shkeljes nga Irani të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar muajin e kaluar mes dy vendeve.

“Sipas memorandumit që u nënshkrua, Irani nuk duhej të qëllonte mbi anijet tregtare që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit. Fatkeqësisht, ata morën vendimin tragjik, për ta, që ta shkelin këtë angazhim”, deklaroi Leavitt.

Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi pezullimin e përkohshëm të luftimeve mes dy vendeve në bazë të këtij memorandumi. Megjithatë, këtë javë presidenti Donald Trump informoi zyrtarisht Kongresin se Shtetet e Bashkuara janë rikthyer në gjendje lufte me Iranin.

Leavitt bëri të ditur gjithashtu se Irani vazhdon të kontaktojë SHBA-në për të negociuar një armëpushim të përhershëm.

Ajo theksoi se, pavarësisht bllokadës detare, Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për anijet që nuk lëvizin drejt ose nga portet iraniane.

“Presidenti Trump nuk do të qëndrojë duarkryq dhe të lejojë që në ngushticë të kryhen akte terroriste pa u përballur Irani me pasojat”, u shpreh zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.




Comments are closed.