Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama u shpreh se Shqipëria ka reaguar institucionalisht përmes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke theksuar se shteti shqiptar nuk do të reagojë ndaj çdo deklarate provokuese të bërë nga figura të caktuara në Serbi.
“Kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, shkroi Rama.
Kryeministri kritikoi edhe ata që, sipas tij, kërkojnë reagime publike për çdo deklaratë të tillë, duke thënë se kjo tregon mungesë respekti për shtetin dhe institucionet.
“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai”, u shpreh ai.
Rama theksoi se reagimi zyrtar i Shqipërisë është bërë përmes diplomacisë.
“Ne kemi reaguar përmes ministrit të Jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten”, shtoi ai.
Në vijim të reagimit, kryeministri ironizoi edhe kritikët në Tiranë, të cilët, sipas tij, përpiqen të shfrytëzojnë situata të tilla për përfitime politike.
“Mjafton të shikosh reaguesit e rastit nga Tirana, se si gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front dhe e kupton menjëherë pse kategoria e tyre meriton vetëm keqardhjen e radhës, ndërkohë që po deshe të mbash ijet me dorë duhet edhe të gjesh kohë t’i lexosh”, shkroi Rama, duke e shoqëruar postimin me një emoji të qeshur.
Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç ka nxitur reagime të shumta në rajon dhe është dënuar edhe nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë. Kosova e ka shpallur Paunoviçin person të padëshiruar dhe i ka ndaluar hyrjen në territorin e saj.