×
Thursday, July 16, 2026

Kamberi: 53 deputetë kërkojnë shkarkimin e ministres serbe pas deklaratës për “spastrimin etnik” të Kosovës

July 16, 2026


Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, bëri të ditur se 53 deputetë të opozitës i kanë dorëzuar kryeministrit serb Gjuro Macut një kërkesë për shkarkimin e ministres për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, pas deklaratës së saj se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Sipas Kamberit, nisma u ndërmor nga grupi parlamentar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partisë për Veprim Demokratik, të cilët kërkuan që kryeministri, “pa asnjë vonesë”, t’i propozojë Kuvendit të Serbisë shkarkimin e ministres.

Kamberi theksoi se kryeministri Macut ka përgjegjësi politike dhe institucionale për të reaguar.

“Nëse Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë”, deklaroi ai.

Deputeti shqiptar bëri të ditur gjithashtu se iniciativa nuk u mbështet nga partitë e pakicave kombëtare që janë pjesë e qeverisë serbe.

“Shkarkimin e ministres Paunoviç nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliçit, as partia boshnjake e Lajiçit dhe as partia hungareze e Pastorit”, u shpreh Kamberi.

Deklarata e Paunoviçit ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian. Ministrja është shpallur person “non grata” në Kosovë, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se komentet e saj “nuk pasqyrojnë vullnetin e tij dhe as të Qeverisë së Serbisë”.

Edhe komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin ndaj deklaratave të ministres serbe, duke shprehur habinë që ajo vazhdon të mbajë detyrën.

Vëzhgues nga Kosova dhe Serbia e kanë cilësuar deklaratën e Paunoviçit si pjesë të retorikës së vazhdueshme të Beogradit ndaj Kosovës, duke kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të mos kufizohet vetëm në reagime politike, por të ndërmarrë masa konkrete.

Deklaratat kanë rikthyer në vëmendje krimet e luftës në Kosovë, ku gjatë konfliktit të viteve 1998–1999 u vranë mbi 13 mijë civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa qindra mijëra të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Mbi 1.500 persona vazhdojnë të rezultojnë ende të zhdukur. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka vlerësuar se drejtuesit e atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që synonte ndryshimin e përbërjes etnike të Kosovës përmes dëbimit me forcë të shqiptarëve.




Comments are closed.