Hoxha në Dublin: Shqipëria do të hapë ambasadë në Irlandë, fokus forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe integrimi në BE
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Dublin, ku u prit nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Irlandës, Helen McEntee. Takimi u fokusua në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe mbështetjen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Pas takimit, Hoxha bëri të ditur se të dy palët riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Irlandës, duke theksuar vullnetin e përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
“Zhvilluam një shkëmbim konstruktiv mendimesh mbi objektivin tonë të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit praktik në një sërë sektorësh kryesorë. Ramë dakord mbi nevojën për të eksploruar mundësi konkrete për të forcuar partneritetin tonë ekonomik, me një fokus të veçantë në tregti, investime, turizëm, shërbime digjitale dhe inovacion”, u shpreh Hoxha.
Gjatë bisedës, ministri shqiptar vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në Irlandë, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe një faktor që kontribuon në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shoqërore.
Në këtë kuadër, Hoxha njoftoi edhe vendimin e qeverisë shqiptare për hapjen e një ambasade shqiptare në Dublin në të ardhmen e afërt, një hap që synon të thellojë partneritetin mes dy vendeve dhe të krijojë më shumë mundësi bashkëpunimi në fusha të ndryshme.
“Ky është një zhvillim i rëndësishëm që do të forcojë më tej marrëdhëniet tona dypalëshe dhe do të rrisë nivelin e bashkëpunimit institucional, ekonomik dhe kulturor mes Shqipërisë dhe Irlandës”, theksoi ai.
Ministri Hoxha shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian dhe procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në prag të Presidencës së ardhshme irlandeze të Këshillit të Bashkimit Europian.
Ai informoi homologen irlandeze mbi progresin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit, duke nënvizuar angazhimin e qeverisë shqiptare për të vijuar me ritëm të qëndrueshëm reformat dhe për të avancuar drejt fazës së mbylljes së kapitujve negociues.
Në takim u diskutuan edhe zhvillimet rajonale dhe sfidat e sigurisë në Europë. Të dy ministrat riafirmuan angazhimin e përbashkët për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në kontinent, duke theksuar rëndësinë e Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale e së ardhmes europiane.
“Lidhur me zhvillimet rajonale dhe globale, ne riafirmuam angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Europës, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor si një pjesë integrale e së ardhmes së saj”, deklaroi Hoxha.
Vizita në Dublin konsiderohet një hap tjetër në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Irlandës, si dhe në mbështetjen e objektivit strategjik të vendit për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.







