Hapja e grupkapitujve, Marie Bjerre: Shqipëria ka treguar se e sheh të ardhmen e saj në Europë! Ju po jepni rezultate
Ministrja për Çështjet Evropiane e Danimarkës, Marie Bjerre, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit, gjatë fjalës së saj në Konferencën e 6-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, që po zhvillohet sot në Bruksel.
“Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha ndër vite, veçanërisht me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe përafrimin me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian,” deklaroi Bjerre.
Ajo theksoi se Shqipëria e sheh të ardhmen e saj brenda BE-së, duke vlerësuar faktin që vendi ka prodhuar rezultate konkrete. “Ju po jepni rezultate dhe këto meritojnë të njihen,” u shpreh ministrja daneze.
Duke e konsideruar ditën e sotme si “një gur kilometrik” në rrugën drejt integrimit, Bjerre u shpreh se megjithëse puna nuk ka përfunduar, progresi është i prekshëm. “Sigurisht, nuk jemi ende në vijën e finishit – ka ende shumë punë përpara – por sot është një moment i rëndësishëm,” tha ajo.
Në cilësinë e Danimarkës si vendi që mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, Bjerre premtoi angazhim maksimal për ta çuar përpara procesin e zgjerimit. Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit nga të gjitha vendet kandidate.
“Shqipëri, ju po bëni pikërisht këtë. Vazhdoni me punën e mirë,” përfundoi ministrja daneze.







