×
Sunday, June 4, 2023

Hapet ekspozita “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”

January 21, 2020



Në Tiranë është hapur ekspozita me temë “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”.

Në aktivitet ishin të pranishëm drejtues të Kuvendit të Shqipërisë, deputetë, studiues, etj.

Në fjalën e saj nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi tha se ekspozita është pjesë e një liste të tërë veprimtarish që Kuvendi i Shqipërisë po organizon në kuadër të 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar.

“Kjo ekspozitë na sjell në kujtesën tonë episode të rëndësishme të historisë 100 vjeçare të parlamentarizmit shqiptarë. Parlamentarizmi shqiptar filloi me Kongresin e Lushnjës, i cili përmbylli periudhën e shtetformimit si dhe vendosi arkitekturën institucionale të shtetit të pavarur shqiptar. Kongresi shprehu vullnetin dhe vendosmërinë e shqiptarëve për moslejimin e copëtimit tjetër të trojeve të tyre nga Konferenca e Paqes në Paris”, tha Hysi.

Sipas saj, Kongresi i Lushnjës nisi konsolidimin e Shqipërisë së pavarur parlamentare, çka u mishërua me krijimin e Këshillit të Lartë, Senatit, qeverisë, statutit të shtetit dhe caktimin e Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë.

“Fillimi i veprimtarisë së institucioneve parlamentare filloi në rilindjen e ndërgjegjies politike, unifikimin e territorit të shtetit, ndërtimin e administratës shqiptare dhe pjekurinë e shqiptarëve si qytetarë të një shtetit të ri. Veprimtaristë parlamentarë kanë pasur uljet dhe ngritjet e tyre”, deklaroi Hysi.

Në vijim Hysi theksoi se: “Filizat e Parlamentit pluralist të dalë në zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945 nuk patën jetë të gjatë. Ndryshimet demokratike që nisën në dhjetor 1990 hapën një kapitull të ri edhe për parlamentarizmin shqiptar. Alternativat e reja politike e pluraliste që u krijuan në vend përmes zgjedhjeve, herë korrekte e herë të kontestuara, i dhanë jetë parlamentarizmit të ri në formë e përmbajtje”.

Ajo më tej shtoi se “Parlamentet e zgjedhura shqiptare të Shqipërisë pluraliste e demokratike kanë dhënë kontribute të çmuara në ndërtimin e forcimin e rendit demokratik, të shtetit ligjor, qeverisjes së mirë dhe në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit”.

Në kuadër të 100-vjetorit të parlamentarizmit, në mjediset e Pallatit të Kongreseve ku u hap ekspozita që do të qëndrojë e hapur për disa ditë u zhvillua edhe Konferenca Shkencore kushtuar 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, ku i pranishëm ishte dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. 

Parlamenti i parë shqiptar daton që nga 27 mars 1920 – 20 dhjetor 1920, kur funksionoi Këshilli Kombëtar.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments