Thirrjet për një “grevë të përgjithshme” për çështjen e strehimit kanë përshkuar Madridin dhe dhjetëra qytete të tjera të Spanjës, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar masa urgjente kundër rritjes së qirave dhe vështirësive për të siguruar një banesë të përballueshme.
Në Madrid, protestuesit marshuan nga katër pika të ndryshme të kryeqytetit dhe u bashkuan në Plaza Cibeles, nën tingujt e bilbilave, çelësave, tenxhereve dhe tiganëve. Mes sloganeve të dëgjuara ishin thirrje kundër spekulimit në tregun e banesave.
Sipas autoriteteve, rreth 70 mijë persona morën pjesë në protestën e Madridit, ndërsa organizatorët nga Sindikata e Qiramarrësve e vlerësuan pjesëmarrjen në më shumë se 500 mijë. Protesta u zhvilluan në rreth 50 qytete të vendit.
Mobilizimi vjen pas rrëzimit në Kongres të dy dekreteve të qeverisë së Pedro Sánchez për strehimin. Masat parashikonin ndër të tjera zgjatjen e mbrojtjes ndaj dëbimeve për qiramarrësit vulnerabël dhe kufizime të tjera në tregun e qirave.
Të dyja tekstet u rrëzuan pas votës kundër të Partisë Popullore, Vox dhe Junts per Catalunya. Junts argumentoi se masat mund të zvogëlonin ofertën e banesave me qira dhe të rrisnin më tej çmimet, ndërsa qeveria mbrojti paketën si të nevojshme për të lehtësuar krizën.
Në protestë morën pjesë edhe aktivistë që prej ditësh kanë ngritur një kamp në Puerta del Sol, në vazhdën e një vale të re mobilizimi social të lidhur me krizën e banesave.
Sindikatat e qiramarrësve kanë paralajmëruar se protestat mund të përshkallëzohen më tej. Zëdhënësja Valeria Racu tha se organizatorët do të diskutojnë me sindikatat e punëtorëve mundësinë e një greve të përgjithshme për të ushtruar presion mbi klasën politike.
Kriza e strehimit është kthyer në një nga çështjet më të ndjeshme sociale dhe politike në Spanjë, ndërsa qeveria Sánchez përballet me presion në rritje pas humbjes së votimit në parlament.


