Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka theksuar potencialin e turizmit detar për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke deklaruar se të ardhurat nga turizmi janë më shumë se dyfishuar gjatë tre viteve të fundit.
Deklarata u bë gjatë Samitit Ballkanik të Ekonomisë Blu, të zhvilluar në Marina Orikum, në kuadër të aktivitetit “Balkans Sea Fair”, ku në fokus ishin investimet në turizmin detar dhe mundësitë ekonomike që krijon zhvillimi i marinave.
Sipas Gonxhes, zgjerimi i këtij sektori pritet të nxisë investime të reja, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe krijimin e vendeve të punës për komunitetet bregdetare.
Ministri bëri të ditur se, krahas rritjes së të ardhurave nga turizmi, netqëndrimet jashtë periudhës së pikut veror janë rritur me rreth 78%, një tregues që, sipas tij, dëshmon potencialin për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.
Gonxhja theksoi se objektivi është që kjo rritje të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për ekonominë vendase dhe familjet shqiptare.
Në këtë drejtim, ai nënvizoi rëndësinë e shtimit të jahteve që ankorohen në portet dhe marinat shqiptare, si dhe të shërbimeve të furnizimit dhe mirëmbajtjes së tyre.
Sipas ministrit, zhvillimi i këtyre aktiviteteve krijon mundësi të reja për bizneset lokale dhe ndihmon në zgjerimin e ekonomisë së zonave bregdetare përtej sezonit tradicional turistik.
Aktiviteti “Balkans Sea Fair” do të vijojë deri më 18 tetor në bregdetin e Vlorës, duke bashkuar përfaqësues të sektorit të lundrimit, turizmit dhe biznesit, me synimin për të promovuar potencialin detar dhe turistik të Shqipërisë dhe rajonit.


