Ambasada gjermane dhe ekspertët diskutojnë reformën në drejtësi: theks te pritshmëritë e qytetarëve dhe shteti i së drejtës
Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, në bashkëpunim me Ambasadën e Gjermanisë në Shqipëri, organizuan një tryezë diskutimi me ekspertë mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe perceptimin publik në vend.
Në fokus të takimit ishte progresi i deritanishëm i reformës në drejtësi, sfidat e zbatimit të saj dhe pritshmëritë e qytetarëve për një sistem më efikas dhe transparent.
Ambasadori gjerman në Tiranë, vlerësoi punën e institucioneve shqiptare në kuadër të procesit të integrimit europian, duke theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian mbetet e vazhdueshme, por e lidhur ngushtë me rezultate konkrete në fushat kyçe të shtetit të së drejtës.
Ai u shpreh se zhvillimet në Bruksel kanë nënvizuar rëndësinë e Grupkapitullit 1, i cili përfshin qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimin e sistemit ligjor.
“Ne e kemi deklaruar edhe në situata të ndryshme inkurajimin për punën e ardhshme. Diskutimet në Bruksel e kanë treguar rëndësinë e Grupkapitullit 1: qeverisja e mirë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe ligji i së drejtës”, tha ai.
Gjatë aktivitetit u prezantua gjithashtu një studim mbi perceptimin e qytetarëve për reformën në drejtësi, i cili synon të pasqyrojë mënyrën se si publiku e vlerëson funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe shërbimeve publike.
Duke e komentuar studimin, Bergner theksoi rëndësinë e qasjes së drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve, duke i cilësuar ata si përfituesit kryesorë të shërbimeve publike në një shtet modern demokratik.
“Studimi është një qasje shkencore që shton perspektivën e qytetarëve. Në një shtet demokratik modern ka të bëjë me cilësinë e shërbimeve që jepen: në arsim, drejtësi dhe infrastrukturë. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë çfarë presin qytetarët”, u shpreh ai.
Sipas tij, qëllimi i analizës është të ndihmojë institucionet në identifikimin e perceptimeve publike dhe në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë.
Në takim u theksua gjithashtu se reforma në drejtësi mbetet një element kyç jo vetëm për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe për përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike në vend.







