×
Friday, February 7, 2025

Gjermania paralajmëron Iranin kundër përshkallëzimit bërthamor përpara mandatit të Biden

December 21, 2020


Irani nuk duhet të shpërdorojë shanset e tij për të sjellë përsëri Shtetet e Bashkuara të Amerikës në marrëveshjen bërthamore që rregullon programin nuklear të Iranit, tha sot ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Deklarata e Maas vjen pas bisedimeve me kryediplomatë nga Irani, Britania e Madhe, Kina, Franca dhe Rusia për të ardhmen e marrëveshjes, një muaj përpara marrje së postit presidencial nga Joe Biden.

Biden ka sinjalizuar se ai do të ndryshojë vendimet e presidentit Donald Trump për të lënë paktin dhe për të ringjallur sanksionet ndaj Iranit.

Ato e kanë shtyrë Teheranin të rritë aktivitetet bërthamore përtej kushteve të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 që njihet zyrtarisht si Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit (JCPOA).

“Për të hapur rrugën për afrimin e SHBA nën presidencën Biden, nuk duhet të ketë më manovra taktikë që kemi parë shpesh kohët e fundit”, tha Maas.

“Kjo vetëm sa do të minonte marrëveshjen më tej”, shtoi ai.

Në një deklaratë të përbashkët, Maas dhe ministrat e tjerë të Jashtëm pranuan mundësinë e një kthimi të SHBA-së në JCPOA dhe nënvizuan gatishmërinë e tyre për të adresuar pozitivisht këtë në një përpjekje të përbashkët.

Marrëveshja e vitit 2015 midis Iranit dhe gjashtë fuqive të mëdha vendosi kufizime në programin bërthamor të Iranit, për të parandaluar vendin nga prodhimi i armëve bërthamore.

Sanksionet perëndimore u hoqën në këmbim të kësaj.

Maas pranoi që “spiralja në rënie” e paktit bërthamor është ushqyer nga strategjia e Trump për të bërë presion mbi Iranin si dhe nga shkelja e marrëveshjes nga Irani.

Si Biden ashtu edhe presidenti pragmatik i Iranit, Hassan Rohani kanë thënë se vendet e tyre do të ishin të gatshme t’i kthehen plotësisht marrëveshjes nëse pala tjetër bën të njëjtën gjë.

Ndërsa Biden e sheh një hap të tillë si një pikënisje për negociatat e mëtejshme mbi forcimin e paktit, të drejtat e njeriut dhe përfshirjen e Iranit në konfliktet rajonale, Teherani kundërshton kushte shtesë.

Vitin e kaluar, Irani filloi të pasuronte shumë më tepër uranium sesa ishte i lejuar.

Përveç kësaj, ligjvënësit i vijës së ashpër iraniane muajin e kaluar miratuan një projektligj për të rritur më tej pasurimin dhe për të frenuar inspektimet ndërhyrëse bërthamore të IAEA-së.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments