Ministri Gonxhja: Modeli i Dhërmiut për plazhet është praktikë pozitive për turizmin e aksesueshëm
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka vlerësuar modelin e aplikuar në Dhërmi, ku përdorimi i çadrave dhe shezlongëve ofrohet pa pagesë në rast konsumimi, duke e cilësuar si një praktikë që nxit turizmin e aksesueshëm dhe përmirëson shërbimin ndaj pushuesve.
Sipas tij, prioritet i politikave turistike mbetet krijimi i një oferte të balancuar, ku turizmi të jetë i përballueshëm për çdo kategori vizitorësh dhe të garantohet një raport i drejtë mes çmimit dhe cilësisë së shërbimeve.
“Patjetër që prioritet i yni është plazhi, pushimi, turizmi i përballueshëm, i aksesueshëm nga çdo xhep e shije, i drejtë për raportin çmim/cilësi, kosto/kënaqësi, i fiskalizuar, jo kurth, duke garantuar edhe industrinë e ekonominë, edhe të ardhura të vetëqendrueshme vendore por edhe alternativat për të gjithë – tipologjitë e stacioneve të plazhit private, ato publike të menaxhuara nga vetë bashkitë si dhe ato të virgjëra me detyrimet respektive të siguri/higjenës”, u shpreh Gonxhja.
Ministri theksoi se këtë sezon është rritur sipërfaqja e plazheve publike dhe janë përmirësuar sinjalistikat orientuese në zonat bregdetare. Ai shtoi se janë aplikuar gjithashtu tarifa më të ulëta në disa stacione plazhi dhe se administrimi i sezonit turistik po realizohet në koordinim mes institucioneve përgjegjëse.
Gonxhja deklaroi se Shqipëria po konsolidohet si një destinacion turistik me funksionim gjithnjë e më të strukturuar gjatë gjithë vitit, duke theksuar rëndësinë e një zhvillimi të qëndrueshëm të sektorit.
Sipas tij, vëmendje e veçantë i kushtohet edhe mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjes së vijës bregdetare, liqenore dhe lumore si pasuri kombëtare.
Ai shtoi se natyra, pastërtia dhe qetësia mbeten elementë kyç për zhvillimin afatgjatë të turizmit në Shqipëri.







