×
E martë, 24 Nëntor, 2020

Gjermania i dhuron Kosovës teste për koronavirusin

10 Korrik, 2020

Gjermania i dhuroi Kosovës 6,000 teste për diagnostikimin e koronavirusit.

Dorëzim-pranimi i testeve u bë në Prishtinë midis ambasadorit gjerman në Kosovë, Christian Heldt, dhe ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj.

“Janë 6,000 teste PCR, që mendoj se do t’ju dalin në ndihmë në këtë fazë”, tha ambasadori gjerman, duke bërë thirrje për respektimin e masave kundër përhapjes së koronavirusit.

“Ne mund t’ju mbështesim vetëm nëse ka veprime nga qeveria dhe populli. Secili duhet t’i respektojë rregullat që janë vendosur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Maska nuk është shenjë e dobësisë, por shenjë e respektimit të personit pranë jush”, tha Heldt.

Ai kërkoi që edhe përfaqësuesit politikë të tregojnë unitet, duke vënë theksin mbi rëndësinë e “punës ekipore”.

Ambasadori Heldt iu referua zhvillimeve të së enjtes në Kuvendin e Kosovës, ku nuk pati kuorum për ratifikimin e disa marrëveshjeve financiare ndërkombëtare, që do ta ndihmonin Kosovën në përballimin e situatës shëndetësore dhe ekonomike, të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

“Këto grante janë këtu për të ndihmuar rimëkëmbjen e Kosovës nga pasojat ekonomike, por edhe për të ndihmuar sistemin e shëndetësisë”, tha Heldt.

Ministri i Shëndetësisë, Zemaj, tha se ndihma e Gjermanisë është e mirëseardhur dhe e nevojshme për ngritjen e kapaciteteve për të luftuar koronavirusin.

Zemaj tha se Kosova “qëndron mirë” me furnizimet me teste.

Ai paralajmëroi se edhe spitali i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të shfrytëzohet për trajtimin e pacientëve me koronavirus, nëse paraqitet nevoja.

Në javët e fundit, në Kosovë është rritur numri i të prekurve me sëmundjen COVID-19 që e shkakton koronavirusi.

Në dy ditët e fundit, për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë në mes të marsit, janë regjistruar nga mbi 200 raste pozitive.

Në total, Kosova ka konfirmuar 4,307 të infektuar me koronavirus.

Prej tyre, 94 pacientë kanë humbur jetën dhe 2,095 janë shëruar.

Këtë javë, në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri janë rikthyer masat e kufizimit të lëvizjes nga ora 21:00 deri në orën 5:00.

Në këtë periudhë kohore iu ndalohet veprimtaria edhe bizneseve të gastronomisë.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për