Gjermania dhe Franca mbështesin paketën e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë
Ministrat e Financave të Gjermanisë dhe Francës mbështesin sanksionet e fundit të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
“Të gjitha opsionet janë në tavolinë”, u tha gazetarëve në Paris ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, ndërsa theksoi se bankat ruse tashmë ishin plotësisht të bllokuara nga tregjet financiare të BE-së.
Edhe homologu i tij francez, Bruno Le Maire tha se ekonomia ruse po ndjente tashmë ndikimin e masave.
Disa vende anëtare të BE-së, veçanërisht ato baltike, kishin kërkuar sanksione më të ashpra të mundshme pas pushtimit rus të Ukrainës gjatë një samiti të jashtëzakonshëm të enjten, në Bruksel.
Kjo përfshinte përjashtimin e menjëhershëm të Rusisë nga sistemi i pagesave të Shoqatës për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën (SWIFT), një sistem komunikimi i pagesave bankare.
Megjithatë, disa vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Austrinë, kanë qenë më të rezervuara.
Një diplomat i BE-së tha se Hungaria, Italia dhe Qipro gjithashtu bien dakord se ky do të ishte një hap shumë i madh.
Presidenti letonez Egils Levits bëri thirrje sërish që Rusia të izolohet nga bota si Koreja e Veriut.
Levits tha se regjimi i presidentit rus Vladimir Putin “kërcënon jo vetëm Ukrainën, por Evropën dhe të gjithë botën”.
Ministrat e jashtëm nga 27 shtetet e BE-së do të takohen sot në një seancë urgjente lidhur me pushtimin rus të Ukrainës ndërsa pritet miratimi i paketës së fundit të sanksioneve ndaj Rusisë.
Eunews.al