×
Saturday, January 18, 2025

Gjermanët mbështesin zgjatjen e bllokimit nga koronavirusi

April 13, 2020


Shumica e popullit gjerman mbështesin zgjatjen e masave të bllokimit të koronavirusit edhe pas 19 prillit.

Sipas një sondazhi të realizuar nga YouGov për agjencinë e lajmeve gjermane DPA, 44 për qind e gjermanëve thonë se do të mbështesnin zgjatjen e masave të bllokimit, ndërsa 12 për qind kërkojnë masa edhe më të rrepta për të frenuar përhapjen e virusit.

Rreth 32 për qind prej të anketuarve janë në favor të zbutjes së masave ndaj jetës shoqërore dhe publike, të cilat u vendosën më 22 mars për dy javë, por më vonë u zgjatën deri më 19 prill.

Qeveria gjermane vendosi masa të rrepta bllokimi shkaku i rritjes së numrit të rasteve muajin e kaluar, duke urdhëruar mbylljen e të gjitha dyqaneve jo thelbësore, anulimin e festave, ngjarjeve sportive dhe ndalimin e çdo kontakti shoqëror midis më shumë se dy personave në publik.

Kancelarja Angela Merkel do të zhvillojë një video konferencë të mërkurën me kryeministrat e shteteve federale për të rivlerësuar situatën dhe për të vendosur nëse do të zgjaten apo jo masat e rrepta të bllokimit edhe pas 19 prillit.

Me 2.537 raste të reja, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Gjermani u rrit sot në 123.016, duke shënuar numrin më të ulët të rasteve të reja në baza ditore që nga 23 marsi, thonë shifrat zyrtare nga Agjencia gjermane për Kontrollimin e Sëmundjeve.

Instituti Robert Koch ka raportuar për gjithsej 126 raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 2.799.

Sipas të dhënave të institutit, deri më tani rreth 64.300 persona janë shëruar nga sëmundja.

Javën e kaluar, Merkel shprehu “optimizëm të kujdesshëm” për ngadalësimin e shkallës së të infetuarve të rinj nga COVID-19 në vend dhe përjashtoi diskutimin e një strategjie për dalje nga bllokimi para se të arrihet një rënie e vazhdueshme e infeksioneve të reja.

Gjermania ka numrin e pestë më të lartë të të infektuarve me COVID-19 në botë, duke u renditur pas SHBA-ve, Spanjës, Italisë dhe Francës. Por numri i vdekjeve në Gjermani mbetet shumë më i ulët se vendet e tjera.

Përpos numrit të lartë të testeve nga COVID-19, Gjermania gjithashtu ka rritur ndjeshëm kapacitetin e reparteve të kujdesit intensiv në spitale, nga 28 mijë në gati 40 mijë.

Deri më sot, në spitalet gjermane ka mbi 8.300 shtretër të kujdesit intensiv që janë të lirë për pacientët me koronavirus.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.

Bazuar në të dhënat nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i rasteve të koronavirusit ka tejkaluar shifrën 1.8 milionë, me mbi 116 mijë të vdekur dhe mbi 441 mijë të shëruar.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments