Federata Shqiptare e Futbollit dhe Samsonite kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, duke prezantuar edhe një edicion të limituar të një valixheje të personalizuar me simbolet e Kombëtares shqiptare.
Valixhja, pjesë e linjës luksoze të Samsonite, ndërthur elemente të fanellës kuqezi me simbolikën e flamurit kombëtar, duke synuar të përcjellë identitetin dhe krenarinë shqiptare edhe jashtë fushës së futbollit.
Koleksioni është prodhuar në një numër të kufizuar dhe, sipas FSHF-së, simbolizon rrugëtimin dhe ambicien e Kombëtares për të shkuar sa më larg në arenën ndërkombëtare.
“Një koleksion i limituar, i krijuar për të shoqëruar çdo hap drejt play-off-it dhe përtej tij”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.
Marrëveshja me Samsonite vjen në kuadër të strategjisë së Federatës për të zgjeruar bashkëpunimet me marka të njohura ndërkombëtare dhe për të forcuar imazhin e futbollit shqiptar.
“Ky bashkëpunim është një tjetër dëshmi e vizionit të FSHF-së për të ndërtuar partneritete strategjike me brande globale prestigjioze, duke e pozicionuar futbollin shqiptar në standarde gjithnjë e më të larta”, thekson Federata.
Valixhja e edicionit të limituar do të jetë e disponueshme për porosi online, si edhe në pikat zyrtare të shitjes Samsonite në TEG në Tiranë dhe në Albi Mall e Prishtina Mall në Prishtinë.


