Asambleja Kombëtare e Francës miratoi këtë të enjte një projektligj që i jep status ligjor kufirit mes territorit francez Saint-Martin dhe territorit holandez Sint Maarten, duke zgjidhur një çështje territoriale që kishte mbetur e papërcaktuar për gati katër shekuj.
Deputetët miratuan ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2023 ndërmjet Francës dhe Holandës për përcaktimin zyrtar të kufirit në ishullin e Shën Martinit, i cili ndahet mes dy shteteve.
Marrëveshja i jep siguri juridike njërit prej kufijve më të pazakontë në Evropë. Në anën franceze ndodhet territori i Saint-Martin, pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa në anën tjetër ndodhet Sint Maarten, një shtet vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Holandës, por jashtë BE-së.
Pavarësisht regjimeve të ndryshme doganore, fiskale dhe të emigracionit, banorët e të dy territoreve lëvizin çdo ditë lirshëm përtej kufirit të hapur.
Historia e këtij kufiri daton në vitin 1648, kur Franca dhe Holanda ranë dakord të ndanin ishullin mes tyre, por pa përcaktuar me saktësi vijën kufitare. Me kalimin e shekujve u krijua një kufi de facto, i cili shpesh shkaktoi mosmarrëveshje për çështje që lidhen me lejet, zbatimin e ligjit dhe menaxhimin e mjedisit, veçanërisht në zonën e lagunës.
Sipas autoriteteve franceze, ishte uragani Irma në vitin 2017, i cili shkatërroi më shumë se 95 për qind të ndërtesave në ishull, që i shtyu Parisin dhe Hagën të finalizonin negociatat për përcaktimin zyrtar të kufirit.
Deputeti francez Bertrand Bouyx, i cili udhëhoqi projektligjin në parlament, e cilësoi marrëveshjen si një arritje historike.
“Franca mund të jetë krenare që ka zgjidhur një nga mosmarrëveshjet e saj më të vjetra territoriale”, deklaroi ai.
Përpara hyrjes në fuqi, marrëveshja duhet të ratifikohet edhe nga Mbretëria e Holandës, duke përmbyllur zyrtarisht një proces që ka zgjatur plot 377 vjet.