“Faza e dytë është e bashkëjetesës me virusin, jo e çlirimit”
Faza e dytë është ajo e bashkëjetesës me virusin, jo e çlirimit, tha sot kryeministri italian, Giuseppe Conte, gjatë një takimi me presidentin e rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana, sipas “Il Giorno”.
“Shumë qytetarë nuk ishin të kënaqur me masat e reja të dekretit, është e kuptueshme, shumë shpresuan të kthehen në normalitet, por nuk ka kushte për t’u rikthyer në normalitet. Ne po bëjmë shumë sakrifica, kemi paraqitur disa lehtësime, por kjo nuk është koha për të hequr dorë, për të liruar gjithçka”, u shpreh Conte.
“Kjo qeveri nuk kërkon konsensus, ajo dëshiron të bëjë gjërat e duhura edhe nëse ato mund të mos u pëlqejnë qytetarëve. Ne jemi në këtë situatë, sepse kemi pasur 105 mijë të infektuar, 2 300 raste të reja në ditë dhe 250 vdekje të përditshme”, vazhdoi ai.
“Nëse nuk do të kishim një qëndrim të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, kjo kurbë epidemiologjike do të na dilte nga duart. Me këto masa të reja, ne do të dërgojmë 4,5 milionë njerëz të tjerë për të punuar. Një fluks i rëndësishëm, që sigurisht do të krijojë mundësi të reja infektimi, por qytetarët duhet të kenë besim se këto vendime janë të përgjegjshme dhe në interes të të gjithëve”, theksoi ai.
Fontana theksoi se plani i hapjes së Lombardisë, në radhë të parë, siguron mbështetje për familjet, pastaj mbështetje për kompanitë dhe në fund për transportin publik lokal.
Eunews.al