×
Monday, June 22, 2026

Dorëheqja e Starmer shtyn samitin Mbretëri e Bashkuar-BE, Costa: Po shqyrtojmë një datë të re

June 22, 2026


Samiti mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, i planifikuar të zhvillohej më 22 korrik në Bruksel, është shtyrë pas dorëheqjes së kryeministrit britanik, Keir Starmer.

Lajmi u konfirmua nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili deklaroi se institucionet evropiane po rivlerësojnë kalendarin e takimeve dhe mundësinë për të caktuar një datë të re për zhvillimin e samitit.

Starmer pritej të takohej me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe me vetë Costën, në një samit ku do të diskutoheshin një sërë çështjesh strategjike për marrëdhëniet mes Londrës dhe Brukselit. Në fokus të bisedimeve do të ishin bashkëpunimi në sektorin ushqimor, energjia, si dhe një skemë e re për lëvizshmërinë e të rinjve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Takimi konsiderohej një hap i rëndësishëm në procesin e afrimit të marrëdhënieve mes palëve, një proces që ishte promovuar fuqishëm nga qeveria e Starmer që prej ardhjes së saj në pushtet.

Ish-kryeministri britanik e kishte vendosur forcimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian në qendër të strategjisë së tij politike dhe ekonomike, duke argumentuar se bashkëpunimi më i ngushtë me BE-në do të ndihmonte në nxitjen e rritjes ekonomike dhe modernizimin e qeverisjes në Britani.

“Tani me shumë gjasa duhet ta shtyjmë samitin, por po rivlerësojmë mundësinë për të caktuar një datë të re”, deklaroi Costa, duke konfirmuar se ndryshimet politike në Londër kanë ndikuar drejtpërdrejt në axhendën e takimit.

Presidenti i Këshillit Evropian shprehu gjithashtu shpresën që pasardhësi i Starmer të vijojë kursin e nisur për përmirësimin e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

“Dëshira ime është që pasardhësi i tij të mund të sigurojë vazhdimësinë e kësaj rruge pozitive për rivendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve tona me Mbretërinë e Bashkuar”, tha Costa.

Shtyrja e samitit vjen në një moment të rëndësishëm për raportet mes Londrës dhe Brukselit, ndërsa të dyja palët kishin nisur përpjekjet për të thelluar bashkëpunimin pas viteve të tensioneve që pasuan Brexit-in. Zhvillimet e fundit politike në Britani pritet të ndikojnë në ritmin dhe drejtimin e këtij procesi në muajt e ardhshëm.




Comments are closed.