Kushi: Protesta nuk mund të shndërrohet në alibi për gjuhën e urrejtjes
Sekretarja e Gruas në Partinë Socialiste, Evis Kushi, ka reaguar lidhur me klimën e debatit publik gjatë ditëve të fundit, duke shprehur shqetësimin për shtimin e gjuhës së urrejtjes në media dhe në rrjetet sociale ndaj personave publikë, kundërshtarëve politikë dhe kujtdo që shpreh mendime të ndryshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kushi theksoi se protesta është një e drejtë kushtetuese dhe një nga instrumentet më të rëndësishme të demokracisë, duke vlerësuar faktin se qytetarët sot mund ta ushtrojnë lirisht këtë të drejtë.
Megjithatë, ajo nënvizoi se protesta nuk mund të përdoret si justifikim për fyerje, mallkime, linçime publike, bullizëm apo gjuhë urrejtjeje ndaj atyre që nuk ndajnë të njëjtin qëndrim me protestuesit.
“Është po aq e rëndësishme të kuptojmë që protesta nuk mund të shndërrohet në një alibi që justifikon të gjitha fyerjet, mallkimet, linçimet publike, bullizimet dhe gjuhën e urrejtjes ndaj kujtdo që nuk bie dakord me protestuesit, që gjykon ndryshe dhe vepron ndryshe”, u shpreh Kushi.
Ajo paralajmëroi se zëvendësimi i debatit politik me urrejtjen dëmton jo vetëm demokracinë, por edhe vetë shoqërinë, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi nga të gjithë aktorët publikë, përfshirë politikanët, përfaqësuesit e medias, aktivistët dhe qytetarët.
Sipas Kushit, kritika ndaj pushtetit dhe kundërshtimi politik janë plotësisht legjitime, por dehumanizimi i kundërshtarit nuk mund të konsiderohet as demokraci dhe as patriotizëm.
“Nuk duhet të pranojmë që klima politike të helmohet deri në pikën ku fyerja konsiderohet argument dhe urrejtja paraqitet si kurajo. Shqipëria meriton një kulturë politike dhe shoqërore më të qytetëruar, ku njerëzit gjykohen për veprat dhe qëndrimet e tyre, por jo të sulmohen për t’u poshtëruar”, deklaroi ajo.
Kushi theksoi se kushdo ka të drejtë të protestojë dhe të kërkojë llogari nga qeveria apo institucionet, por kjo duhet të bëhet duke respektuar normat bazë të komunikimit dhe dinjitetin e fjalës.
Në përfundim, ajo bëri thirrje për më shumë dialog, argument dhe respekt të ndërsjellë, duke theksuar se forca e demokracisë matet jo vetëm me lirinë e shprehjes, por edhe me mënyrën se si përdoret ajo liri.
“Shqipërisë i duhet më shumë argument dhe dialog, por shumë më pak urrejtje, sharje dhe përçarje. Respekti për mendimin ndryshe është shenjë force, jo dobësie”, përfundoi Kushi.







