Dialogu Shqipëri–Suedi për integrimin, Balla: Shqipëria më pranë se kurrë BE-së, objektivi i ynë mbyllja e negociatave brenda 2027
Gjatë dialogut parlamentar Shqipëri–Suedi për zgjerimin e Bashkimit Europian, zhvilluar në “Shtëpinë e Europës” në Tiranë, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit të plotë në BE.
Balla ka ritheksuar se objektivi i Shqipërisë mbetet mbyllja e negociatave me Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027, duke e cilësuar procesin e integrimit si prioritetin madhor strategjik të vendit.
Në fjalën e tij Balla ka nënvizuar se në këtë fazë të rëndësishme për vendin dhe për vetë Europën, kërkohet bashkëpunim i të gjitha forcave politike në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Në këtë moment kyç për Europën dhe për Shqipërinë, mbetet thelbësore që i gjithë spektri politik në vend të qëndrojë i bashkuar për objektivin tonë madhor strategjik: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian”, u shpreh Balla.
Balla ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen e Suedisë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet parë si një domosdoshmëri strategjike për të ardhmen dhe sigurinë e Europës.








