×
Wednesday, November 6, 2024

Debati i parë Trump-Biden

September 29, 2020


Presidenti republikan Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish-nënpresidenti Joe Biden, do të debatojnë mbrëmjen e së martës pesë javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit. Ky është i pari nga tre debatet e planifikuara për t’u zhvilluar gjatë muajit të ardhshëm.

Debati i rëndësishëm që mbahet në qytetin Cleveland, Ohio, vjen ndërsa zoti Biden ka ruajtur prej disa javësh një avantazh me rreth 7 pikë ndaj Presidentit Trump. Nëse humbet në zgjedhje, zoti Trump do të bëhej presidenti i tretë amerikan në katër dekadat e fundit që nuk rizgjidhet për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, gara është mjaft e afërt në disa shtete kyçe për betejën elektorale, diçka që paraqet mundësinë që Presidenti Trump mund të humbasë sërish votën popullore – ashtu siç ndodhi përballë demokrates Hillary Clinton në vitin 2016 – duke fituar megjithatë shumicën e votave elektorale të shteteve të rëndësishme që nevojiten për të fituar zgjedhjet.

Mendohet se gati 100 milionë amerikanë do t’i ndjekin dy kandidatët në përballjen prej 90 minutash në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv, moderuar nga gazetari i kanalit Fox News, Chris Wallace, ndërsa në audiencë do të jenë vetëm rreth 100 persona. Deri në këtë moment, dy kandidatët nuk janë shfaqur asnjëherë së bashku.

Zoti Wallace tha se ai do të bëjë pyetje për gjashtë tema në segmente 15 minutëshe: përvoja e kandidatëve; pandemia e koronavirusit që ka shkaktuar vdekjen e një numri rekord botëror prej 205 mijë njerëzish në Shtetet e Bashkuara; emërimi nga Presidentit Trump i juristes konservatore Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë; ekonomia amerikane që është goditur nga pandemia; integriteti i zgjedhjeve; dhe “raca dhe dhuna” në qytetet amerikane.

Një temë e momentit të fundit është gjithashtu e sigurtë se do të jetë një pikë qendrore – një artikull të dielën i gazetës “The New York Times” se miliarderi Trump pagoi vetëm 750 dollarë në taksa federale për të ardhurat në 2016, vitin kur ai kandidoi për presidencën dhe në 2017, viti i tij i parë në zyrë. Raporti detajonte se si Presidenti Trump, i cili shpesh është mburrur me aftësitë e tij të biznesit, ka raportuar qindra miliona dollarë humbje në biznes.

Presidenti Trump e quajti njoftimin “krejtësisht lajm të rremë”, por fushata e zoti Biden të dielën e theksoi atë për të përforcuar argumentin se Presidenti Trump ka humbur lidhjet me punëtorët amerikanë për të cilët ai pretendon se po lufton. Fushata e zotit Biden filloi të transmetonte një reklamë që tregon se një mësues i shkollës fillore, një zjarrfikës, një menaxher ndërtimi dhe një infermiere paguajnë të gjithë mijëra dollarë taksa në vit ndërsa Presidenti Trump pagoi 750 dollarë.

Debatet në fushatat e kaluara presidenciale herë pas here kanë rezultuar thelbësore për rezultatin, por mbetet për t’u diskutuar nëse është kështu ky vit. Anketimet tregojnë se më shumë se 90% e votuesve thonë se ata tashmë e kanë vendosur në mendjen e tyre dhe se nuk kanë ndërmend ta ndryshojnë zgjedhjen e tyre.

Votimi i hershëm ka filluar në shumë shtete, herë pas here me radhë të gjata njerëzish që presin të hedhin votat e tyre. Miliona të tjerë kanë kërkuar të marrin ose kanë dërguar tashmë fletëvotime me postë për të shmangur takimin ballë për ballë me votuesit e tjerë në Ditën e Zgjedhjeve mes pandemisë së koronavirusit.

Presidenti Trump ka pretenduar, pa prova, se rritja e konsiderueshme e votimit me postë këtë vit do të çojë në një zgjedhje të “manipuluara” kundër tij, dhe ai refuzoi të angazhohej për një tranzicion paqësor të pushtetit në inaugurimin presidencial të janarit nëse zoti Biden fiton.

Moderatori Chris Wallace i kanalit Fox News
Moderatori Chris Wallace i kanalit Fox News

Temat e zgjedhura nga zoti Wallace për debatin pasqyrojnë lajmet e ditës në Shtetet e Bashkuara, megjithëse kritikët thonë se përshkrimet i tij për racën dhe dhunën në Shtetet e Bashkuara pasqyrojnë pretendimin e Presidentit Trump se protestat mbi abuzimin policor të pakicave në muajt e fundit janë udhëhequr nga “banditë”, rebelë dhe anarkistë.

Demokratët që mbështesin zotin Biden thonë se në vend të kësaj, diskutimi duhet të jetë rreth racizmit sistematik në Shtetet e Bashkuara dhe debatin e brendshëm mbi marrëdhëniet racore të nxjerra në pah nga vdekja në maj e afrikano-amerikanit George Floyd, ndërsa mbahej nga policia në Minneapolis, të shtetit Minesota, dhe vdekjet e njerëzve të tjerë afrikano-amerikanë në duart e policisë.

Përpara përballjes së tyre, Presidenti Trump ka vënë në dyshim mprehtësinë mendore të zotit Biden dhe u përpoq të minimizojë aftësinë e tij si debatues, duke pretenduar pa prova se demokrati duhet të ishte droguar kur doli mirë se zakonisht në debate, pasi një numër i madh kandidatësh për president të demokratëve dolën nga gara, dhe ai po përballej vetëm me senatorin e Vermontit, Bernie Sanders, para se zoti Sanders të pranonte humbjen përballë zotit Biden.

“Do të kërkoj me forcë të testohet për drogë i Përgjumuri Joe Biden para ose pas debatit të martën në mbrëmje”, shkruajti Presidenti Trump në Twitter. “Natyrisht, unë do të pranoj ta bëj edhe vetë. Shfaqjet e tij të debatit kanë qenë në një nivel rekord ÇEKUILIBRI, për ta thënë butë. Vetëm drogat mund ta kishin shkaktuar këtë mospërputhje ??? ”

Fushata e zotit Biden u përgjigj se: “Nënpresidenti Biden synon t’i japë përgjigjet e tij në debat me fjalë. Nëse presidenti mendon se argumenti i tij më i mirë bëhet me urinë, atëherë le të vazhdojë”.

Presidenti Trump shkruajti në Twitter: “Joe Biden sapo njoftoi se nuk do të pranojë një Test Droge. Pyes veten përse?”

Çfarë duhet të kenë parasysh në debat kandidatët

Aaron Kall, trajneri për debat në Universitetin e Miçiganit dhe bashkëautor i librit “Të debatosh me Donaldin”, tha se edhe me ndoshta më pak votues të pavendosur sesa në vitet e kaluara të zgjedhjeve presidenciale, dy kandidatët duhet të shfaqin një kompetencë të caktuar për votuesit.

Zoti Biden, tashmë 77 vjeç, shërbeu për 36 vjet në Senatin amerikan dhe tetë si nënpresident me ish-Presidentin Barack Obama. Zoti Kall tha se zoti Biden “duhet të sigurojë votuesit e pavendosur se ai është fizikisht dhe mendërisht në nivelin e të qenit president, dhe një paraqitje e fortë përballë presidentit aktual për 90 minuta është një mënyrë e shkëlqyer për ta bërë këtë”.

“Biden duhet të nxjerrë në pah kontrastin e përvojës, axhendës dhe vizionit të tij për të ardhmen me Presidentin Trump,” tha zoti Kall.

Ndërkohë, zoti Kall tha se Presidenti Trump, në moshën 74 vjeç, “duhet të argumentojë përse ai duhet të rizgjidhet dhe pse meriton katër vite të tjera në detyrë. Ekonomia përgjithësisht shihet si forca e tij më e madhe në sondazhet e opinioneve dhe ai duhet të ketë një plan të detajuar për të ulur papunësinë dhe për të rritur rritjen ekonomike”.

Me ciklin më të fundit të shpenzimeve për krizën e koronavirusit në Kongres të bllokuar, Presidenti Trump duhet të bëjë të njohur vizionin e tij konkret, thotë zoti Kall. Për më tepër, megjithëse kujdesi shëndetësor nuk është një nga gjashtë temat për debatin e parë, Presidenti Trump “duhet të jetë në gjendje të artikulojë zëvendësimin e tij të dëshiruar për Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, pasi kjo ka të ngjarë të dalë gjatë seksionit të Gjykatës Supreme” të debatit, tha zoti Kall.

Trajnuesi për debatet tha se Presidenti Trump “shpreson që Biden të bëjë një gabim të madh skualifikues, por mbështetja te kundërshtari juaj për të bërë një gabim nuk është një strategji e shëndoshë e debatit”.

Trump shpesh ekzagjeron pretendimet në lidhje me lajmet e ditës, por zoti Kall tha se zoti Biden “duhet t’i përzgjedhë betejat e tij në lidhje me të pavërtetat e Presidentit Trump, pasi ato nuk janë krijuar të gjitha të barabarta, dhe ka të ngjarë të ketë shumë prej tyre”.

“Është e pamundur t’i lësh disa gjëra të kalojnë”, tha zoti Kall, “por Biden nuk mund ta kalojë shumicën e kohës së tij të çmuar të të folurit në mbrojtje dhe duke korrigjuar Presidentin Trump. Biden ka deklaruar publikisht se ai synon të kontrollojë faktet e Presidentit Trump në kohë reale, por ky do të ishte një gabim”.

Ai e këshillon Presidentin Trump që të mos vërë në dyshim aftësinë mendore të zotit Biden për presidencën.

“Këto akuza nga Presidenti Trump para debatit tashmë kanë ulur pritshmëritë për Biden-in dhe e kanë bërë akoma më të vështirë debatin për atë që është në pushtet”, tha zoti Kall.

“Presidenti Trump në përgjithësi ka qenë i suksesshëm në shndërrimin e kundërshtarëve të tij politikë në karikatura, por është shumë më e vështirë ta bësh këtë kur dikush tjetër po ndan skenën me ju”, tha zoti Kall. “Presidenti Trump do të ishte më mirë të sulmonte historikun Obama-Biden, duke përmendur dallimet me katër vitet e tij të fundit në detyrë”.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments