Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin zyrtar për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2025, ku vlerësohet stabiliteti makroekonomik i vendit, por ngrihen një sërë shqetësimesh serioze që lidhen me ambientin e biznesit.
“Situata makroekonomike e Shqipërisë është e qëndrueshme. Në vitin 2024, rritja ekonomike arriti në 4 përqind, e nxitur nga rritja e fuqishme në sektorët e turizmit dhe pasurive të paluajtshme dhe politikat e kujdesshme makroekonomike.”, thuhet në raport.
Megjithatë, raporti nxjerr në pah si problem informalitetin e lartë në sektorin e biznesit, i cili po dëmton ndjeshëm konkurrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Pavarësisht qëndrueshmërisë dhe rritjes së vazhdueshme që ka treguar ekonomia shqiptare në vitet e fundit, zhvillimi ekonomik i saj mbetet i brishtë për shkak të korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar, konkurrencës së shtrembëruar, mungesës së fuqisë punëtore për shkak të emigracionit, produktivitetit të ulët dhe një sektori të madh informal.”, thuhet në raport.
Ky raport shfaq realitetin e vështirë me të cilin përballen bizneset shqiptare.
Në dokument thuhet se sfidat kryesore që dëmtojnë ambientin e biznesit përfshijnë korrupsionin e përhapur, një sistem gjyqësor të dobët, mungesën e transparencës në prokurimet publike, si dhe praninë e madhe të ekonomisë informale dhe pastrimit të parave – sidomos me burim nga trafiku i drogës.


