×
Thursday, September 23, 2021

Blinken: Të shqetësuar për ligjin e ri polak për median

August 12, 2021

SHBA -ja ka shprehur shqetësimin për ligjin e ri polak për mediat, sipas të cilit vetëm entiteteve me seli në vendet e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA) mund t’u jepet një licencë transmetimi, me kusht që të mos jenë të varura nga entitetet jashtë EEA-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shprehu shqetësim të thellë në lidhje me miratimin e legjislacionit në Dhomën e Ulët të parlamentit polak, Sejm, që synonte një stacion lajmesh të pavarur, në pronësi të SHBA.

Ai gjithashtu i bëri thirrje presidentit polak të mos nënshkruajë legjislacionin e ri të miratuar dje.

“Kur bëhet fjalë për ligjin për median, ne e dimë se një media e lirë dhe e pavarur i bën demokracitë tona më të forta”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

“Kjo e bën aleancën transatlantike më elastike… dhe është një përbërës themelor i marrëdhënieve tona dypalëshe me Poloninë”, theksoi ai.

Price deklaroi se ”Polonia ishte një aleate e rëndësishme e NATO-s që e kupton se aleanca transatlantike bazohet jo vetëm në interesat e ndërsjella kur bëhet fjalë për sigurinë tonë të përbashkët, por edhe angazhimet e ndërsjella për vlerat dhe prosperitetin e përbashkët demokratik”.

Ligji, një ndryshim i diskutueshëm në Aktin e Transmetimit të Polonisë të paraqitur nga deputetët e partisë në pushtet ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS), specifikon që vetëm njësive me seli në vendet e Zonës Ekonomike Evropiane mund t’u jepet një licencë transmetimi, me kusht që ata të mos jenë të varur nga entitetet nga jashtë EEA.

Nëse futet, rregullorja e re do të prekte kompaninë ”Discovery Inc”, me qendër në SHBA, pronare e rrjetit më të madh televiziv të pavarur të Polonisë, TVN, i njohur për qëndrimin e tij kritik ndaj qeverisë.

Në fakt, kanalit të lajmeve të transmetuesit, TVN24, mund t’i mohohet zgjatja e licencës pasi licenca e tij aktuale skadon më 26 shtator dhe ”Discovery” mund të detyrohet të shesë stacionin.

“Vendimi i marrë nga Sejm në lidhje me ndryshimin e Aktit të Transmetimit është drejtuar kundër TVN”, tha bordi i këtij transmetuesi.

“Rezultati i votimit të sotëm minon të drejtën e pronësisë duke shkaktuar kështu ankth tek investitorët e huaj në Poloni”, theksoi ai.

Eunews.al

Comments are closed.