×
Saturday, May 18, 2024

Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkën

May 5, 2024


Besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkën, ditën më të rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë.

Në mbarë vendin besimtarët kremtuan në mesnatë ngjalljen e Krishtit në meshën e Pashkës.

Besimtarët ortodoksë kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek Zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.

Si çdo vit të shtunën e Madhe të Pashkës ortodokse, zjarri i shenjtë iu kalua me qirinj besimtarëve që shkëmbyen mes tyre urimet e rastit për këtë ditë të rëndësishme në kalendarin festiv ortodoks.

Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve. Ata risjellin në vëmendje ngjarjen e madhe të ngjalljes së Jezusit të Nazaretit, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.

“Krishti u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të Pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit.

Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë dhe njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë

Kryepeshkopi Janullatos në mesazhin drejtuar të gjithë besimtarëve tha se “periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit”.



Comments are closed.