Kuvendi miraton rezolutat për SPAK dhe institucionet e drejtësisë, kalon edhe rishikimi i buxhetit
Kuvendi miratoi të enjten me votat e shumicës socialiste një sërë projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë dhe akte normative të rëndësishme, mes tyre edhe rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2026.
Votimet u zhvilluan pasi opozita bllokoi foltoren e Kuvendit dhe nuk lejoi vijimin normal të seancës. Me kërkesë të Partisë Socialiste, projektaktet u hodhën në votim, ndërsa deputetët e opozitës vijuan protestën në sallë.
Me votat e mazhorancës u miratuan rezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi aktin normativ nr. 2, datë 30 qershor 2026, që parashikon ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2026”, me 82 vota pro dhe 3 kundër.
Po ashtu u miratua edhe akti normativ nr. 3, datë 6 korrik 2026, për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare. Ky akt përfshin financimin prej 4.3 milionë eurosh për koncertin e reperit amerikan Kanye West dhe u miratua me 80 vota pro dhe 6 kundër.
Rezultatet e votimit për projektrezolutat ishin si më poshtë:
- Këshilli i Lartë Gjyqësor: 84 vota pro, 1 abstenim, 2 kundër.
- Këshilli i Lartë i Prokurorisë: 83 vota pro, 1 abstenim, 3 kundër.
- Kontrolli i Lartë i Shtetit: 82 vota pro, 1 abstenim.
- Prokuroria e Përgjithshme: 83 vota pro, 1 abstenim.
- SPAK: 83 vota pro, 1 abstenim, 1 kundër.
- Avokati i Popullit: 83 vota pro.
- Inspektori i Lartë i Drejtësisë: 81 vota pro, 1 abstenim, 3 kundër.
Pavarësisht tensioneve në sallë dhe bllokimit të foltores nga opozita, mazhoranca vijoi procedurat parlamentare dhe përfundoi miratimin e të gjitha akteve të parashikuara në rendin e ditës.







