×
Saturday, June 13, 2026

Balluku nga Fieri: Socialistët shkruan historinë me 12 mandate, PS mbështetet mbi sakrificat e brezave

June 9, 2026


Partia Socialiste festoi sot në Fier 35-vjetorin e themelimit të saj, në një aktivitet të organizuar në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, ku morën pjesë drejtues politikë, deputetë, anëtarë dhe mbështetës të forcës më të madhe politike në vend.

Në aktivitet ishte e pranishme edhe drejtuesja politike e qarkut Fier, Belinda Balluku, e cila në fjalën e saj vlerësoi kontributin e brezave të socialistëve ndër vite dhe falënderoi figurat që kanë luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e Partisë Socialiste.

Balluku tha se zgjedhja e Apolonisë për këtë përvjetor nuk ishte rastësore, por një simbol i lidhjes me rrënjët dhe historinë, duke theksuar se e ardhmja nuk mund të ndërtohet pa respektuar të shkuarën.

“Jemi këtu për të nderuar kontributin e socialistëve të Fierit. Brezat e rinj sot mund ta kenë të vështirë të kuptojnë se çfarë do të thoshte të ishe anëtar i Partisë Socialiste në vitet e para të tranzicionit. Prindërit dhe gjyshërit tanë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë forcë politike”, u shpreh Balluku.

Duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, ajo tha se Partia Socialiste arriti një rezultat historik, duke siguruar 12 mandate në qarkun Fier.

“Në maj 2025 ne shkruam historinë e 12 mandateve. Ky rezultat është fryt i punës së përbashkët dhe i besimit që qytetarët kanë treguar ndaj Partisë Socialiste dhe projektit të saj politik”, deklaroi ajo.

Në fjalën e saj, Balluku shprehu mirënjohje për disa nga figurat më të rëndësishme të socialistëve në Fier, duke veçuar ish-kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për kontributin e tij ndër vite në forcimin e partisë në këtë qark.

Ajo falënderoi gjithashtu ministrin Taulant Balla, nga i cili tha se ka marrë stafetën politike për drejtimin e qarkut Fier, si dhe deputetin Erion Braçe për angazhimin e tij gjatë tre mandateve parlamentare në këtë zonë.

Festimet për 35-vjetorin e Partisë Socialiste u zhvilluan në një atmosferë festive, ndërsa drejtuesit e saj e konsideruan këtë përvjetor si një moment reflektimi mbi rrugëtimin e partisë dhe sfidat e saj për të ardhmen.




Comments are closed.