Gogu në Berlin: Pas miratimit të IBAR-it, fokusi kalon te mbyllja e Kapitullit 23

13 Jun 2026 11:29
Shpërndaje:

Ministri i Drejtësisë Gogu, zhvilloi sot në Berlin takime me përfaqësues të lartë të qeverisë gjermane, mes tyre Ministrin e Shtetit për Evropën, Gunther Krichbaum, dhe Sekretaren Parlamentare të Shtetit pranë Ministrisë Federale të Drejtësisë, Annette Kramme.

Takimet u zhvilluan pas miratimit të IBAR-it nga partnerët evropianë, një vlerësim ndërkombëtar që konfirmon progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi dhe i hap rrugën fazës së mbylljes së Kapitullit 23 të negociatave me Bashkimin Evropian.

Bisedimet u fokusuan te hapat e ardhshëm pas miratimit të IBAR-it dhe mbështetja që Gjermania do të vijojë t’i japë Shqipërisë në këtë proces.

Reklamë Ola

Gjatë takimit me Krichbaum, palët ranë dakord se miratimi i IBAR-it nuk përbën fundin e procesit, por hyrjen në një fazë më kërkuese të reformave.

“Nuk e trajtojmë IBAR-in si kurorëzim të punës, por si autorizim për të vazhduar me fazën që kërkon më shumë. Gjermania ka qenë dhe mbetet partner strategjik në këtë rrugëtim”, u shpreh ministri Gogu.

Reklamë InterMedika

Nga ana e tij, Krichbaum theksoi se mbështetja gjermane do të mbetet e palëkundur, për sa kohë procesi vijon të mbështetet te merita dhe rezultatet konkrete. Ai nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimit të institucioneve të reja të drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë ka përcaktuar tre prioritete kryesore për fazën aktuale: rritjen e aksesit në drejtësi, përmirësimin e eficiencës së sistemit gjyqësor dhe garantimin e të drejtave procedurale, prioritete që përputhen me gjetjet dhe rekomandimet e IBAR-it.

Si një rezultat konkret i reformës, u vlerësua edhe ulja e ndjeshme e stokut të çështjeve të pazgjidhura në Gjykatën e Lartë, tregues i përmirësimit të administrimit gjyqësor gjatë viteve të fundit.

Ndërkohë, takimi me Annette Kramme u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e drejtësisë. Bashkëpunimi mes institucioneve shqiptare dhe Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), i cili ka mbi dy dekada histori, mbetet një nga instrumentet kryesore të asistencës teknike gjermane për Shqipërinë.

Diskutimet u fokusuan te mbështetja për mbylljen e kapitujve të negociatave, dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë, administrimi gjyqësor dhe forcimi i kapaciteteve institucionale.

Po ashtu, u vlerësua bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në fushën e ndihmës juridike reciproke, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave përmes mekanizmave të Eurojust.

“Suksesi i reformës në drejtësi nuk do të matet nga numri i institucioneve të krijuara, por nga besimi që qytetarët kanë te drejtësia. Kjo është boshti rreth të cilit po punojmë”, deklaroi ministri Gogu.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, faza e ardhshme e procesit do të fokusohet në përmbushjen e kritereve për mbylljen e Kapitullit 23, me theks te aksesi në drejtësi, eficienca gjyqësore dhe transformimi dixhital i sistemit.