×
Wednesday, May 1, 2024

Alabar: Shqipëria, përmirësime të jashtëzakonshme në infrastrukturë dhe mikpritjen e turistëve

April 9, 2024


Mohamed Alabar, përfaqësuesi i “Eagle Hills Real Estate Development” që po ndërton portin turistik të Durrësit u shpreh sot krenar që është pjesë e historisë së suksesit të Shqipërisë në turizëm.

Alabar iu drejtua sot përmes një videomesazhi panelit “Në mendjen e investitorëve”, i cili u zhvillua në kuadër të Konferencës për Investimet dhe Zhvillimin Ekonomik të Europës e Shqipërisë.

“Tirana është një nga qytetet e mia të preferuara. Grupi ynë ka investuar në fushën e turizmit që prej 20 vitesh dhe ne kemi shumë partnerë me të cilët kemi bashkëpunuar në këtë fushë. Në lidhje me planin tonë në Shqipëri, ai ka nisur 4 vite më parë, falë edhe lidershipit të jashtëzakonshëm që ka në Shqipëri, lidershipi i kryeministrit Rama”, tha ai.

Alabar nënvizoi politikat zhvillimore dhe rritjen që po përjeton Shqipëria vitet e fundit.

“Shqipëria ka arritje për të cilat duhet të jetë krenare. Jemi të lumtur që jemi pjesë e historisë së suksesit të Shqipërisë dhe të investojmë në vijën e mahnitshme bregdetare të vendit”, tha ai.

Alabar theksoi se krahasuar me 4 vitet e shkuara ku ne besonim në një ëndërr, mjafton të shikoni statistikat mbi rritjen ekonomike ku ekonomia në tërësi ka shënuar përmirësime.

“Gjithashtu kemi parë përmirësime të jashtëzakonshme në infrastrukturën e Shqipërisë dhe industrinë e mikpritjes për të cilën ju duhet të jeni shumë krenarë. Shqipëria po vazhdon të ecë shumë mirë. Kryeministri Rama është një burrë i jashtëzakonshëm ndaj vazhdoni të ecni para falë këtyre politikave të suksesshme”, tha ai.

Alabar theksoi se sfidë mbetet investimi në sektorin e mikpritjes për të përmirësuar strukturat e mikpritjes. “Duhet të punojmë për qëndrueshmërinë e kësaj industrie dhe qëndrueshmëria është përgjegjësi e madhe”, tha ai.



Comments are closed.